E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy policë në Vushtrri

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga stacioni Vushtrri, me urdhër të prokurorisë themelore në Mitrovicë, janë arrestuar mbi bazën e dyshimit të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Lidhur me rastin, dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës, janë suspenduar nga detyra me pagë, deri në 48 orë.

Ky vendim është marrë në orët e pasdites së ditës së djeshme, 5 gusht, 2013.

"Dy pjesëtarët e PK-ës, janë suspenduar me vendim të drejtorit rajonal mbi bazën e dyshimit të shkeljes dhe mos respektimit të Ligjit të Policisë dhe Parimeve e Procedurave të PK-ës", ka thënë kapiten Besim Hoti, zëdhënës i Policisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.

Si pjesë e procedurave të parapara me rregullat procedurale të PK-ës, dhe Ligjin mbi Policinë e Kosovës, Inspektorati policor i Kosovës, është njoftuar lidhur me rastin dhe veprimet e ndërmarra.

Arrestimi i pjesëtarëve të policisë së Kosovës, është iniciuar me kërkesë të prokurorisë themelore pasi dyshohet se të njëjtit, kishin shpërdoruar detyrën zyrtare me ç’rast kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë një rasti të arrestimit të një personi për sulm ndaj personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare, të raportuar me datë 2 gusht, 2013, në Vushtrri.

Hetimet lidhur me rastin janë duke u ndjekur nga hetuesit rajonal të policisë së Kosovës në Mitrovicë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›