E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen te afermit e aktivistit kinez

Autoritetet kineze kanë filluar të arrestojnë të afërmit dhe bashkëpunëtorët e aktivistit Chen Guangcheng, i cili besohet se është strehuar në ambasadën amerikane në Pekin pasi u arratis. Disa persona që besohet se ndihmuan aktivistin e verbër që të largohej janë zhdukur ose arrestuar, ndërsa një aktivist tjetër për demokracinë, Hu Jia, është marrë në pyetje. Sekretarja amerikane e shtetit Hilary Clinton dhe grupet të tjera për të drejtat e njeriut kanë shprehur prej kohësh shqetësimin e tyre në lidhje me mënyrën se si është trajtuar Chen dhe familja e tij. Pasi vuajti një dënim 4-vjeçar pasi denoncoi skandalin e disa zyrtartëve që detyronin gra të reja të sterilizoheshin ose abortonin, Chen u vendos në 2010-n në arrest shtëpie, ndërsa e bija e tij pengohej të ndiqte shkollën.

Analistet thonë se kjo çështje do të jetë shumë e ndjeshme për të dy palët dhe nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u zgjidhur, duke marre parasysh marrëdheniet e tendosura midis dy vendeve . Një funksionar i lartë u shpreh në anonimat në një media kineze se nëse është e vërtetë që SHBA po strehon Guangcheng, duhet ta dorëzojë atë menjëherë tek autoritetet pasi kjo është një çështje e brendshme e Kinës. Uashingtoni, aktualisht nuk ka bërë asnjë koment zyrtar në lidhje me vendndodhjen e aktivistit. Fati i bashkëpunëtorëve të tjerë të Chen mbetet i paqartë. Amnesty u ka bërë thirrje autoriteteve t'i japin fund këtij veprimi të turpshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›