Arrestohen tre të rinj me 10 kg marijuanë

Pjese nga marijuana e sekuestruar
GJIROKASTER- Një sasi prej 10 kg marijuana është sekuestruar nga Policia e Gjirokastrës në tentativë për ta transportuar drejt Tiranës. Në pranga kanë rënë tre të rinj, dy prej të cilëve nga Kosova.
Blerim Zeqiri, 22 vjeç dhe Rinor Lila, 20 vjeç, të dy nga Prishtina, kanë qenë të shoqëruar nga bashkëmoshatari tiranas, Denis Fata. Ardhja e tyre në Gjirokastër kishte si qëllim blerjen e sasisë së marijuanës dhe më pas shitjen e saj në kryeqytetin kosovar, Prishtinë.
Dy të rinjtë kosovarë, mbanin çanta shpine sportive, ndërsa tiranasi, një çantë dore. Sapo janë afruar agjentët e Policisë, të rinjtë kanë ngelur të befasuar dhe u janë bindur urdhrave për kontrollin fizik të çantave që kishin. Në çantën sportive që mbante Rinor Lila, gjendeshin dy pako me marijuanë të presuar, të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe me peshë totale 2.5 kg. Në çantën tjetër sportive që mbante kosovari tjetër Blerim Zeqiri, ndodheshin katër pako me marijuanë të mbështjella me letër ngjitëse ,ngjyrë kafe, me peshë totale 5 kg, ndërsa në çantën që mbante kryeqytetasi, Denis Fata ndodheshin dy pako me 2.5 kg marijuanë, në total tetë pako me lëndë narkotike 10 kg. Blerim Zeqirit iu gjet në xhepin e xhupit, 100 gram marijuanë në formën e boçes.
Mësohet se marijuana e cila do të fluturonte për Kosovë, ishte e destinuar të shitej në sasi të vogla në lokalet e natës dhe shkollat e mesme të Prishtinës.
Piro Nase