Arrestohet 27-vjeçari/ Iu kërkonte para 2 adoleshenteve, shantazh me foto dhe video intime

Një 27-vjeçar është vendosur në pranga pasi shantazhoi dy adoleshentë duke iu kërkuar para që të mos iu publikonte foto dhe video me përmbajtje personale.
27-vjeçari është arrestuar pas kallëzimit të dy adoleshentëve (15 dhe 17 vjeçe). Ai u kap në flagrancë dhe akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, si rezultat i reagimit të menjëhershëm pas kallëzimit të marrë nga 2 adoleshente (15 dhe 17 vjeçe) se shantazoheshin nga një shtetas, për t’i dhënë para, që ai të mos iu publikonte foto dhe video me përmbajtje personale, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin M. Rr., 27 vjeç, banues në Ballsh, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/