Arrestohet Arben Lamçja, i shumëkërkuar për disa vrasje me pagesë

I shumëkërkuari shqiptar për disa vrasje me pagesë, Arben Lamçja, u arrestua të dielën në Kosovë.
Lamçja u ndalua nga efektivët e njësisë speciale FAST Albania dhe FAST Kosova në Prishtinë. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK me vendim të GJKKO-së.
“Në vijim të shkëmbimeve të informacioneve, në kuadër të operacionit policor “GORDONËT”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në Prishtinë, i shtetasit A. L., lindur e banues në Elbasan.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë më datë 29.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit, “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar Kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”,” njoftoi Policia e Shtetit.
30 urdhërarreste, mes tyre edhe i Lamçjas, u lëshuan më 31 korrik në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë 2”. I dyshuari akuzohet si pjesë e një grupi kriminal që porosiste vrasje kundrejt pagesës në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat. Vrasjet porositeshin nga vëllezërit nga Elbasani, Franc dhe Hajdar Çopja.
Lamçja rezulton të jetë dënuar më parë në Itali me 14 vjet burg me akuzën e shfrytëzimit për prostitucion. Pas arrestimit në Elbasan ai u ekstradua në vitin 2011 në Itali për të vuajtur dënimin. Ai është hetuar edhe për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, ndërsa disa prona të paluajtshme dhe shoqëri tregtare në zotërimin e tij janë konfiskuar.
/rtsh.al/