E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet “Bubica”, kryekrimineli i masakrës së Qyshkut

Zoran Obradoviç, njëri prej të dyshuarve kryesorë për masakrën e vitit 1999 në fshatin Qyshk të Pejës, është arrestuar dje në Gjermani.
Lajmin për arrestimin e Obradoviçit, i njohur ndryshe si “Bubica”, e konfirmon vetë kryeprokurori i Serbisë për krime lufte, Vladimir Vukçeviç. Kryeprokurori serb ka theksuar se disa autorë të tjerë të këtij krimi janë evidentuar në disa vende jashtë Serbisë.

Para katër ditësh në një gjykate për krime lufte në Beograd filloi procesi gjyqësor kundër nëntë pjesëtarëve të njësisë "Çakallët", të cilët akuzohen për vrasjen e 43 civilëve shqiptarë në fshatin Qyshk.

Gjithashtu, 17 të dyshuar të tjerë për të njëjtin krim ndodhen në arrati, për të cilët është shpallur fletarrestimi i Interpolit. Sipas aktakuzës, pjesëtarët e "Çakallit", më 14 maj të vitit 1999 kanë vrarë 43 civilë shqiptarë dhe kanë shkatërruar e djegur mbi 40 shtëpi. Rreth 400 civilë shqiptarë janë dëbuar, duke ua marrë të gjitha sendet me vlerë. Mes të vrarëve në këtë masakër ishte edhe babai i ish-kryeministrit Agim Çeku, dhe disa të afërm të tjerë të tij.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›