E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqia plane dhe interesa për bashkëpunim ushtarak

Turqia është e interesuar për rritjen e nivelit të bashkëpunimit me Maqedoninë në fusha të mbrojtjes dhe sigurisë, deklaroi ministri turk i mbrojtjes, Vexhdi Gjonul sot në Shkup.
Ministri turk me homologun e tij të Maqedonisë, Zoran Konjanovski nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim ushtarako-financiar dhe me këtë marrëveshje parashihet që Turqia gjatë vitit të ardhshëm të dhurojë ndihmë ushtarake për Maqedoninë, sipas zgjedhjes së saj, që do të ketë një vlerë prej rreth një milion dollarë.
Gjonul theksoi se populli turk e ndjenë Maqedoninë si një nga fqinjët më të mirë, edhe pse nuk kanë kufij të përbashkët.
“Kjo marrëveshje është hap para për vendosjen e bashkëpunimit në nivele më të larta në kuadër të bashkëpunimit të deritanishëm të shkëlqyer midis dy vendeve. Ndihma dhe stërvitja në fushën e mbrojtjes, do të vazhdojë dhe do të rritet sidomos në sferën e industrisë së mbrojtjes”, deklaroi ministri turk i mbrojtjes, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm për të ndarë përvojat në fushën e mbrojtjes.
Autoritetet turke gjatë vizitës dyditore sot dhuruan ndihmën e parë ushtarake me një vlerë prej 250 mijë dollarëve për nevojat e Armatës së Maqedonisë. Turqia është një nga partnerët dhe donatorët për ndërtimin e kapaciteteve të ARM-së, ku gjatë viteve të fundit janë dhuruar ndihma ushtarake me një vlerë prej 16 milion dollarëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›