Arrestohet Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës ndalohet në Rinas me urdhër të SPAK

Me urdhër të Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është arrestuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas burimeve të RTSH-së, Malltezi është ndaluar nga policia në ambientet e Aeroportit të Rinasit. Ai është nën hetim për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Sipas padisë në SPAK, që është depozituar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në kohën kur ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, bëhet fjalë për një pronë rreth 10 mijë m2 në qendër të Tiranës, e cila në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100 mijë dollarë.
Së bashku me Malltezin është arrestuar edhe bashkëpunëtori i tij, Fatmir Bektashi. Gjithashtu, GJKKO ka kërkuar detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Berisha dhe “detyrim paraqitje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit” në lidhje me procedurat e zhvillimit të zonës së njohur si ish-kompleksi Partizani në Tiranë.
Ndërkaq, nga ana e tij, ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar një konferencë në orën 21:00 në ambientet e Partisë Demokratike.
/rtsh.al/