Arrestohet hajduti i makinave në Durrës, policia i sekuestron dy mjete 40 vjeçarit

Një 40-vjeçar i identifikuar si Dritan Balla është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi akuzohet se ka vjedhur disa automjete, banesa si dhe shuma të mëdha parash.
Ndërkohë blutë kanë sekuestruar edhe dy mjete të grabitura prej tij. Vetëm në muajin mars, i riu akuzohet për 4 vjedhje.
Ndërkohë në Lezhë, policia arrestoi një 26-vjeçar pasi akuzohet se ka vjedhur një parukeri.
Në pranga ka rënë Ronaldo Sinani, ndërkohë në gjendje të lirë është proceduar motra e tij 17-vjeçare.
Njoftimi: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Custom”. Si rezultat, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit D. B., 40 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për disa vjedhje të ndodhura gjatë muajit mars. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas dyshohet se: •më datë 18.03.2025, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit G. R., në lagjen nr. 7, Durrës; •më datë 19.03.2025, në lagjen nr. 13, Plazh, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetases B. Z.; •më datë 20.03.2025, në Shijak, duke përdorur njërin nga automjetet e vjedhura, ka vjedhur një shumë prej 10 000 dollarësh brenda në automjetin e shtetasit A. H.; •më datë 12.03.2025, në bashkëpunim me shtetasin A. I., 44 vjeç (i arrestuar më parë nga Policia), ka vjedhur sende dhe orendi të ndryshme në banesën e shtetasit I. M. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan dy automjetet e vjedhura nga shtetasi D. B. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /vizionplus.tv