E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet këngëtari në Fier, dyshohet për përndjekjen e vajzave të mitura

Këngëtari nga Fieri, Erind Xhaferi, është arrestuar në flagrancë nga Policia, pas një informacioni të marrë në rrugë operative për një rast të dyshuar të përndjekjes së vajzave të mitura dhe kryerjes së veprimeve të turpshme ndaj tyre.

Sipas informacioneve paraprake, kanë qenë vetë vajzat ato që kanë telefonuar sallën operative të Policisë, duke vënë në lëvizje shërbimet e Komisariatit të Fierit.

Pas marrjes së njoftimit, efektivët kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë organizuar veprimet për dokumentimin e rastit. Në vijim, ata kanë ndaluar këngëtarin, i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Burime nga Komisariati i Policisë Fier kanë konfirmuar ndalimin e Xhaferit. Sipas të dhënave paraprake, ndaj tij është ngritur dyshimi për veprën penale të parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal, “Vepra të turpshme”.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.r.k

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›