Arrestohet në Francë udhëheqësi i lartë i ETA-s
Udhëheqësi i grupit të armatosur bask, ETA, është arrestuar në veri të Francës, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Spanjës. Ibon Gogeascoechea, që ndodhej në arrati që prej vitit 1997, është kapur së bashku me dy zyrtarë të tjerë të lartë të ETA-s, gjatë aksionit të përbashkët të autoriteteve spanjolle dhe franceze në qytetin Cahan, në Normandi, kanë njoftuar autoritetet spanjolle. Kjo ishte goditja më e re kundër këtij grupi separatist, të dobësuar pas arrestimit të qindra pjesëtarëve të saj. Ai kërkohej për shkak të komplotit për të sulmuar muzeun Guggenheim në Bilbao, gjatë vizitës së mbretit të Spanjës, Juan Carlos-it. Forcat e sigurisë mendojnë se ETA, e cila angazhohet për krijimin e shtetit të pavarur bask, është dobësuar dukshëm, pas arrestimit të qindra pjesëtarëve të kësaj organizate gjatë viteve të kaluara. Arrestimet janë bërë falë bashkëpunimit mes autoriteteve në Spanjë dhe Francë. Një udhëheqës i krahut politik të ETA-s, Batasuna, i bëri javën e kaluar thirrje asaj që të vazhdojë betejën me mjete paqësore. Megjithatë, Batasuna ka humbur ndikimin e vet mbi kryengritësit e armatosur, që nga shembja e negociatave paqësore me qeverinë spanjolle.
#