E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët: Klodi dha një mesazh të rëndësishëm

Ndërsa bisedojnë për rrëfimin e sekretit që Klodi bëri, Domenika shprehet se ai ka dhënë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë. Ada i kujton fjalët e Arbanës, e cila tha se njerëzit e kulturuar e kuptojnë, ndërsa Olta i kujton se edhe publiku e përkrahu dhe këtë gjë e shprehu me një duartrokitje të gjatë

Pas spektaklit të mbrëmjes së të shtunës, banorët me të drejtë kanë nisur të diskutojnë mbi gjithçka ka ndodhur. Ata janë fokusuar kryesisht te rrëfimi i Klodit mbi homoseksualitetin e tij duke e përkrahur dhe duke i dhënë mbështetjen e tyre maksimale. Ndërkaq Seldi dhe Domenika janë sqaruar me Enxhin, ndërsa kjo e fundit vazhdon të ndihet si një kërcënim për Rezartën në marrëdhënien e saj me Jetmirin.

Diskutime për treshen në nominim

Jetmiri, Bledi dhe Hakiu diskutojnë për këtë javë që janë në nominim. Ata mendojnë se nuk duhet ta marrin me frikë dhe se duhet të sillen ashtu siç do silleshin në një javë normale. Sipas Bledit, të gjithë do dalin në nominim herët apo vonë dhe dihet që do eliminohen me radhë. Ata shprehen se u shkonte mendja që mund të dilnin këtë javë sërish në nominim. Kur Miri shprehet se ishte normale që disa do t’i nominonin, Hakiu ia kthen se pa i përcjellë disa prej banorëve, nuk lëviz nga shtëpia. “E mendon njësoj si unë”, i thotë Miri dhe shton se të dy kanë një kohë të gjatë përpara, sepse ka ndërmend t’u “hajë kokën” disa banorëve që rrinë kot në shtëpi. “Më vjen keq për Bledin, por...”, thotë ai. Duke diskutuar për lojën që po luhet nga të gjithë, ata mendojnë se shënjestër janë veç lojtarët e fortë. Miri mendon se banorët mund të bëjnë gabim tek arsyet që përdorin kur nominojnë, sepse mendojnë se duke mbajtur lojtarët e dobët brenda, fitojnë terren, por sipas tij, harrojnë se i shohin dhe vlerësohen edhe për to. “Do t’u vijë koha të gjithëve”, thotë Miri. Bledi bashkohet me Oltën dhe pranë tyre vjen edhe Enxhi. Ndërsa flasin për eliminimin e njërit prej djemve të shtunën tjetër, Bledi shprehet se veç për një do t’i vijë keq. “Për princeshën?”, pyet Enxhi duke nënkuptuar Oltën dhe duke e kthyer vetë përgjigjen, shprehet se ai nuk do dalë të shtunën. “E kam të sigurt unë që ai nuk del, harroje”, thotë Olta me bindje të plotë. Bledi uron që të mos zhgënjehet nga disa persona për të cilët ka krijuar opinione të mira, pasi i ka dy dyshime e duke diskutuar mbi këtë temë, ata shprehen se disa banorë mund të fshihen nën petkun e lojës e ndaj brenda nuk mund t’i kuptosh kurrë.

Mbështetje për Klodin

Banorët shkojnë një nga një dhe i tregojnë përkrahjen e tyre Klodit. Erioni e përgëzon për kurajën që pati e që e tha në sy dhe ndërsa të dy flasin për paragjykimin që u bëhen këtyre personave, Erioni shprehet se njeriu duhet të vlerësohet për atë që jep e jo për atë që është, pasi zgjedhjet personale mbeten të tilla. Pranë Klodit vjen edhe Seldi. Të dy djemtë diskutojnë për mënyrën se si mund ta ketë pritur nëna e tij këtë të vërtetë. “Më vjen keq për të, sepse ka vuajtur shumë”, shprehet ai dhe uron që nëna e vet ta kalojë këtë gjendje, sepse është e vetme, e ndaj e ka më të vështirë se të tjerët. Klodi u tregon djemve se ka qenë shumë emocionues momenti kur shkroi letrën dhe për këtë arsye, nuk ka qenë shumë në humor gjatë ditës. Erioni e pyet se si e kanë pritur pjesa tjetër e familjes dhe ai përgjigjet se e kanë kuptuar dhe e kanë pritur mirë, ndërsa për nënën kishte shumë frikë se si do e priste dhe nga kjo nuk merrte guximin t’ia thoshte. Ai tregon se ishte përpjekur t’ia thoshte dikur, por nuk e çoi deri në fund e sipas tij, ajo me siguri e ka kuptuar, por nuk ka reaguar. “I kërkoj të falur për këdo që mund ta bezdisë”, shprehet ai dhe jep një mesazh për të gjitha ato nëna që i kanë fëmijët homoseksualë se duhet ta pranojnë e t’u qëndrojnë pranë në çdo kohë. Erioni këmbëngul në idenë e tij se prirjet e një personi nuk duhet të ndikojnë në raportet që krijon me të tjerët. Klodi tregon se dëshironte të ishte i sinqertë edhe me banorët e tjerë e ndaj vendosi që ta thoshte hapur këtë zgjedhje të vetën. Sipas Erionit, Klodi u ka dhënë kurajën edhe shumë personave të tjerë që ta pranojnë këtë si te vetja, ashtu edhe për të tjerët. Biseda mbi historinë e Klodit zhvendoset nga një ambient në tjetrin ku të gjithë banorët i shprehin përkrahjen atij. Klodi shprehet se ia kishte frikën për paragjykimin, jo ndaj vetes, por ndaj nënës së tij. Për veten, ai shprehet se ka kaluar shumë vështirësi në jetë dhe është mësuar të përballet me këtë gjë. Ada i kujton fjalët e Arbanës e cila tha se njerëzit e kulturuar e kuptojnë, ndërsa Olta i kujton se edhe publiku e përkrahu dhe këtë gjë e shprehu me një duartrokitje të gjatë. Klodi tregon disa detaje nga jeta e vet, për vështirësitë e mëdha që ka kaluar, se që në fëmijëri i është dashur që të emigrojë e të punojë, për tradhtitë dhe braktisjen nga të afërm, për vëllain e madh, i cili i ka qëndruar gjithnjë pranë. Teksa tregon për të vëllain, Klodi preket dhe shprehet se ai është krenaria e tij. Ndërsa bisedojnë për rrëfimin e sekretit që Klodi bëri, Domenika shprehet se ai ka dhënë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë.

Rezarta, e mërzitur me Mirin

Rezarta duket e mërzitur me Jetmirin për faktin që ai lejon Enxhin që të futet mes tyre, qoftë kjo edhe për lojën. Ajo shprehet se nuk i vjen aspak mirë që ai e përkrah në çdo moment atë dhe i del në mbrojtje sa herë ato flasin me njëra-tjetrën. Rezarta e këshillon se edhe nëse një lojë është e mirë apo e keqe, ai bën mirë që të mos përzihet, sepse nuk është puna e tij. Miri shprehet se e kupton dhe ajo vazhdon duke i thënë se ai nuk mund të dalë prej karakterit të vet veç për hatër të një loje apo të një banori, sepse nga kjo nuk do fitojë asgjë të mirë. Miri ndërkohë përgatit cigaret, ndërsa Rezi ankohet se ai edhe në mbrëmje kur mund të rrinë bashkë, merret me to. Të dy banorët diskutojnë edhe për buxhetin dhe mungesën e ushqimeve, pasi nuk i administrojnë mirë ato. Më pas ata ngacmohen me shaka dhe Miri largohet për të pirë cigare në kopsht. Pranë Rezartës vjen Bledi. Rezarta e pyet për nominimin nëse e priste apo jo dhe ai i përgjigjet se po. Ai tregon se që në momentin që u mor vesh se do nominoheshin veç djemtë, i shkoi ndërmend se do dilte në nominim, ndërsa po të ishin të gjithë, ndoshta nuk do dilte. “Nuk mërzitem se sfidat janë pjesë e jetës sime”, shprehet ai. Bledi shprehet se veç për një gjë do t’i vijë keq, se kur të dalë do marrë vesh gjithë të vërtetat që janë thënë në shtëpi dhe do i vijë keq nëse dikush do i thyejë besimin e krijuar. Ai shprehet se kur të afrohet fundi, normale që ata do nominojnë e sulmojnë njëri-tjetrin, por nuk do ta pranonte që këto të ndodhnin që tani. Miri shprehet se e kupton çfarë do të thotë ai, pikërisht sepse e ka provuar vetë thuajse çdo javë nominimin.

Enxhi sqarohet me Domenikën dhe Seldin

Domenika dhe Seldi, duke komentuar mbi pyetjet që iu bënë gjatë spektaklit nga Arbana dhe opinionisti shprehen se nuk i ngacmuan aq sa e prisnin, ndërsa Jetmirin e bënë “telef” fare. Banorët flasin për raportin e tyre edhe për mënyrën se si shihet nga jashtë. Domenika mendon se mamaja e Seldit mund ta ketë marrë inat për çfarë ka ndodhur mes tyre, por Seldi i thotë se ajo ka mbajtur gjithnjë anën e vajzave dhe kështu që i ka dhënë të drejtë Domenikës. Sipas Domit, duhet mbajtur vetëm ana e atij që ka të drejtë. Duke diskutuar mbi këtë temë, ata thërrasin edhe Enxhin që të bashkohet me ta. Ajo vjen dhe i sqaron për keqkuptimin e Domenikës që u krijua në lidhje me të dhe Seldin. Ajo tregon se me Seldin nuk është njohur më parë, thjesht kanë qenë diku të dy dhe ajo, kur kishte ardhur ia kishte treguar këtë gjë. Ajo tregon se Seldi po qëndronte me të dhe me Valonin e ndërsa bisedonin, ajo i dha opinionin se si interpretohej lidhja e tyre jashtë, ku Domi dominonte ndaj tij. “Që ai të do dhe ti e do, kjo gjë është e dukshme, po pse rrini akoma veç?”, u thotë ajo të rinjve. Domenika shprehet se Seldi duhej të ishte sqaruar më mirë me të për këtë gjë, por sërish thotë se Seldi ka bërë edhe gabime të tjera që i çuan deri në këtë pikë. “Jemi mirë kështu”, shprehet ajo, ndërsa Enxhi thotë se e pret që nga momenti në moment ata të kthehen bashkë.

Rezarta do të ruajë shoqërinë me Adën

Rezarta diskuton me Adën se nuk i pëlqen që të tjerët komentojnë lidhjen e saj me Mirin apo edhe që flasin për atë vetë. Ada mendon se kur jeton në një shtëpi të vogël e ku biseda është një ndër gjërat kryesore që bëjnë, është e paevitueshme që të flasin për njëri-tjetrin. Ajo thotë se edhe vetë Rezarta flet me të tjerët. Rezarta diskuton me Adën edhe marrëdhënien dhe shoqërinë që patën fillimisht. Rezi shprehet se e vlerëson shoqërinë e tyre dhe është e kënaqur që ato lidhën shoqëri bashkë, një shoqëri që ajo i pëlqen shumë. Ajo tregon se shoqëria e tyre i ka munguar këto ditë dhe shton se ka pritur që ajo të vinte e t’i fliste, por në të njëjtën kohë e kupton edhe pse ajo nuk ka ardhur t’i flasë. Rezarta i tregon se në shtëpi është vështirë të krijosh besim, sepse të gjithë të thonë shoqe, por ndërkohë flasin pas krahëve. Ajo shprehet se Miri kështu ka menduar për Adën në lidhje me Rezin. Ada habitet, sepse Miri deri pak ditë më parë i thoshte se kishte krijuar besim tek ajo dhe shton se besimin Rezarta e ka provuar kur i ka thënë diçka dhe ajo s’ia ka treguar askujt, ndërsa Miri përkundrazi ka folur me të gjithë. Rezarta ankohet se nuk po qëndron fare me Mirin, pasi ai gjithë ditën rri me të tjerët dhe me të nuk i del koha të rrijë. “Unë kam shumë gjëra për t’u sqaruar me të e nuk po kam mundësi”, shprehet ajo. Ada e këshillon që të tregohet e qartë dhe korrekte me Mirin kur të sqarohen dhe i thotë asaj që t’i shijojë këto ditë me të. Vajzat diskutojnë edhe për lojën që u përfshi Rezi nga Miri dhe Enxhi.

Seldi dhe Domenika në mëngjes

Seldi zgjohet ndër të parët nga gjumi. Edhe Hakiu, Edi e Bledi ngrihen ku secili merret me punët e veta personale. Banorët e tjerë janë në gjumë. Seldi zgjat dorën për të kapur dorën e Domenikës e cila është në gjumë. Të dy qëndrojnë për disa çaste të kapur përdore. Më pas, Seldi ngrihet e shkon te krevati i Domenikës ku fillon ta përkëdhelë për ta zgjuar. Ai duket shumë i menduar këtë mëngjes. Domenika nuk reagon, por kur zgjohet ngrihet nga krevati dhe largohet. Seldi mbetet i vetëm dhe duket i mërzitur. Në kuzhinë, Hakiu ka përgatitur çaj dhe ndërkohë lan edhe enët. Bledi e shikon dhe i thotë se nuk duhet të merret ai përditë me këtë gjë, pasi në shtëpi ka edhe banorë të tjerë të cilët nuk bëjnë asgjë. Domenika ankohet se djemtë bëjnë më shumë pis, ndërsa Hakiu i thotë se vajzat janë më dembele se ata. Bledi tregon se kur po pastronin pasqyrat, i kishte kërkuar njërës prej vajzave ta ndihmonte dhe ajo nuk kishte ardhur. “Ose t’i bëjmë të gjithë ose s’ka ndryshe”, shprehet ai.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›