Oboti, aty ku mortet bëhen me varka

Megjithëse uji ka nisur të zmbrapset nga zona e Nënshkodrës, në disa fshatra, të vetmet mjete komunikimi me pjesën tjetër të vendit mbeten varkat. Në fshatin Obot uji ka fituar çdo betejë. Veç njerëzve të gjallë që u duhet të përdorin mjetet e lundrimit për të lëvizur, tashmë dhe për të vdekurit po përdoren varkat. Dje Luçie çokut, iu dha lamtumira e fundit, pasi mbrëmjen e së shtunës ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare në spitalin rajonal të Shkodrës. Arkivoli me trupin e së ndjerës u transportua me lundër. Madje përpara se arkivoli të hipte në varkë, personeli i ushtrisë bëri një provë, nëse ishte e mundur të kalohej. Sigurisht që dhe kortezhi që e shoqëronte arkëmortin, familjarë dhe të afërm të gruas, u duhej të lëviznin me mjete lundruese. Për lëvizjen e kortezhit, u caktua një trupë komando e repartit të ushtrisë Shkodër. Shumë banorë të fshatit Obot kanë shoqëruar trupin e pajetë të bashkëfshatares së tyre, trupi i së cilës do të prehet tashmë në një zonë të Dajçit, sepse vetëm aty uji nuk kishte mundur të mësynte. Për këta banorë duket e paimagjinueshme se do të vinte një ditë, kur do u duhej që të vdekurit t’i qanin mbi varka. Ndërsa kortezhi vajtonte të vdekurën, pak metra më tutje, të tjerë banorë nxirrnin rrjetat e peshkimit nga uji, që dikur kanë qenë të mbjella. Duket se për të tjerë jeta me ujin vazhdon.
AnkesatBanorët e zonës së Nënshkodrës përveç ndihmës në ushqime dhe ujë të pijshëm, kërkojnë nga shteti të verifikohen sërish dëmet që ka shkaktuar ripërmbytja e tokave dhe banesave të tyre.
Banorët e fshati Obot, shprehen se uji ka shkaktuar aq dëme sa herën e parë, madje në disa raste edhe më shumë, pasi në shtëpitë e tyre uji ka arritur mbi një metër. Një nga banorët e fshatit, Lush Marku, duke folur për gazetën shprehet se: “Fjalët tona janë të tepërta me atë se çfarë shihet këtu. Nëpër shtëpi uji ka arritur mbi 1 m. Kemi probleme në sigurimin e ushqimit për bagëtitë dhe ujë të pijshëm. Të gjithë banorëve përmbytja u ka shkaktuar dëme, ndaj i drejtohemi shtetit duke i thënë se as uji e as qeveria nuk ka mbaruar punë me ne. Kërkojmë që sapo uji të largohet, të vijnë sërish grupet e verifikimit për të parë dëmet që na janë bërë brenda në shtëpi dhe të na dëmshpërblejnë sa më shpejt”. Ndërkaq, nga të dhënat më të fundit të shtabit të emergjencave në zonën e Nënshkodrës, 5850 ha tokë janë të përmbytura, ndërkohë që 308 persona janë evakuuar nga banesat e tyre. Ndërsa 93 familjet e Komunës Dajç, lëvizin nga shtëpitë e tyre në mënyrë periodike në varësi të lëvizjes së nivelit të ujërave. Për sa u përket dëmeve në banesa raportohet se 74 shtëpi janë të përmbytura, ndërkohë që në 805 të tjera ka prezencë uji.