E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet në Peshkopi 40-vjeçari i dënuar në Itali me nëntë vite burg

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Policia e Shtetit informon se është finalizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, faza e radhës e operacionit të koduar “Fast”.

Policia deklaron se në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët italianë për lokalizimin dhe kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në bashkëpunim me shërbimet e DVP Dibër, kapën dhe arrestuan shtetasin Gëzim Dani, alias Gëzim Hidri, 40 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit të Napolit, me vendimin e datës 15 nëntor 2021, e ka dënuar me 9 vjet burgim për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Sipas autoriteteve italiane, ai akuzohet se në vitin 2009 ka shfrytëzuar për prostitucion vajza nga Evropa Lindore në zonën e Napolit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Italisë.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›