Arrestohet një 23 vjeçar i dënuar më parë për falsifikim dokumentash

Strukturat e Rendit në Policinë e Kavajës arrestuan të dielën 23 vjeçarin Xhuljan Senko, i dënuar më parë për "falsifikim të pasaportave dhe vizave". Burimet e Policisë së kryeqytetit bënë të ditur sot se 23 vjeçari Senko, në shkurt të këtij viti, është dënuar nga Gjykata e Pogradecit me 1 vit heqje lirie për veprën penale të "falsifikimit të pasaportave e vizave", si dhe "kalimit të paligjshëm të kufirit". Nën akuzën e "prishjes së rendit dhe qetësisë publike", si dhe "kanosjes me armë të një shtetasi", blutë e Kavajës arrestuan të dielën edhe shtetasin Ylber Demrozi. Sipas burimeve të mësipërme, 27 vjeçari Demrozi akuzohet se dy ditë më parë, ka prishur qetësinë publike, duke qëlluar në ajër, ndërsa ka kanosur me armë edhe një shtetas. Ndërkohë, nën akuzën e "kanosjes së një prokurori" në ambientet e Gjykatës së Tiranës, shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, arrestuan shtetasin Bexhet Vogli, lindur dhe banues në Tiranë. 33 vjeçari Vogli akuzohet se ka kanosur një prokuror, sapo ky i fundit kishte mbaruar një seancë gjyqësore në ngarkim të të pandehurve Bexhet dhe Sali Vogli. Ndërsa për veprën penale të "tregtimit të mallrave kontrabandë", specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në kryeqytet, arrestuan pranë Godinave të Fakultetit të Inxhinierisë 19 vjeçarin Oltjon Klosi, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij u gjetën dhe sekuestruan 140 celularë, të dyshuara kontrabandë.
...