E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qeveria ka një projekt serioz për zhvillimin e vendit

Kryeministri Sali Berisha siguroi sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se "Qeveria ka një projekt shumë serioz për zhvillimin e Shqipërisë rurale dhe në këtë drejtim ka përcaktuar objektiva shumë ambiciozë". Në këtë drejtim, Kreu i Qeverisë veçoi investimet në infrastrukturë në mënyrë që të gjitha komunat dhe fshatrat e vendit të lidhen në një kohë të shkurtër me rrugët kombëtare. "Ne do të ndërtojmë edhe qindra e qindra ujësjellësa të tjerë, do të rikonstruktojmë dhe do të ndërtojmë të gjitha shkollat e mbetura, do të shumëfishojmë grantet dhe kredinë e butë. Pra ne e marrim si një sfidë jashtëzakonisht serioze mbështetjen për Shqipërinë rurale", tha Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë u shpreh se "një nga përparësitë më absolute të kësaj qeverie do të jetë edhe qëndrimi ndaj popullatës që jeton në varfëri, dhe mjerim". "Ne do të ndërtojmë një skemë të re të ndihmës ekonomike me të cilën nuk do të lejohet më që të ketë familje shqiptare që të përballet me mjerimin. Ne nuk mund të zhdukim varfërinë, pasi varfëria për fat të keq shoqëron edhe vendet më të zhvilluara, por mjerimi mund të zhduket", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij "skema e re për ndihmën ekonomike synon që të japë garanci të plotë për të nxjerrë jashtë mjerimit të gjitha familjet shqiptare". Shqipëria, tha Kryeministri Berisha "nuk është në atë gjendje sa të lejojë të tjerët që të vuajnë për kafshatën e gojës apo për gjërat më elementare". Nga ana tjetër, Kryeministri vuri në dukje se "me ndihmën ekonomike ka një abuzim të jashtëzakonshëm". "Për ndihmën ekonomike, ne kemi vendosur në buxhet një fond prej rreth 150 milionë dollarë. Ne mund ta rrisim këtë fond deri në 200 milionë dollarë apo 300 milionë dollarë, por nuk mund ta vemë në dispozicion për abuzimet, pasi kjo thellon varfërinë", vijoi Kryeministri Berisha. Në përfundim, Kryeministri u shpreh se "Qeveria duhet të sigurohet se nuk vuan njeri për ushqimet bazë, veshjet, shërbimin shëndetësor dhe shkollimin e fëmijëve, pasi të gjitha këto janë detyrime të shtetit dhe të politikës së tij sociale".



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›