E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet përkohësisht, pastori Teri Xhons

Në SHBA, është burgosur përkohësisht, pastori amerikan i cili dogji Kuranin, veprim ky që nxiti demonstrata të dhunshme në Afganistan në fillim të këtij muaji.

Arrestimi i Teri Xhons u bë pasi ai bëri përpjekje që të mbajë një protestë në afërsi të një xhamije në shtetin verior amerikan të Miçiganit.

Një gjykatës në Dirborn, qytet në këtë shtet amerikan, popullata e së cilës është përfaërsisht 30 % arabo – amerikane, ka urdhëruar që pastori Teri Xhons të mbahet i burgosur pasi planet e tij që të organizojë atë protestë mund të çonin drejt dhunës.

Xhons, është liruar një orë pas burgosjes, ndërsa është vendosur që për tre vitet e ardhshme nuk guxon t`i afrohet xhamisë kundër së cilës dëshironte të protestonte.

Teri Xhons u bë lajm kryesor kur në 20 mars dogji librin e shenjtë, Kuranin, në kishën e tij në Florida.

Si reagim ndaj këtij veprimi, në protestat e dhunshme që u mbajtën në Afganistan, disa persona humbën jetën përfshi edhe shtatë pjesëtarë të stafit të OKB-së.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›