E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet pronari i punishtes së këpucëve, ngacmoi punonjësen

Policia e kryeqytetit arrestoi një 50-vjeçar, pronar i një punishteje këpucësh në Nikël të Fushë-Krujës. Ai ishte denoncuar më parë për përndjekje dhe keqpërdorim thirrjesh telefonike nga një grua e punësuar në biznesin e tij. Ngjarja është denoncuar dy ditë më parë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga 44-vjeçarja me iniciale L.M., banuese në kryeqytet, por që punonte në Nikël në biznesin e të dyshuarit. Gruaja ka bërë kallëzimin e saj në Zyrën e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, pasi pretendonte se është kërcënuar nga punëdhënësi i saj, në mënyrë që të kishte një lidhje dashurie me të.

Policia tha se i arrestuari është shtetasi Petrit Disha, nga fshati Nikël i Fushë-Krujës, i cili akuzohet për “përndjekje” dhe “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Sipas kallëzimit nga e dëmtuara, Disha prej dy muajsh e ngacmon me mesazhe në celularin e saj, ndonjëherë edhe i telefonon, duke këmbëngulur që të nisin një lidhje dashurie. Gruaja pretendon se ajo e ka refuzuar vazhdimisht, por pronari i saj e ka paralajmëruar që do ta heqë nga puna nëse nuk pranon të vazhdojë një lidhje me të. Gruaja 44-vjeçare është detyruar të largohet nga puna, por ngacmimet kanë vazhduar me të njëjtin ritëm. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›