Së shpejti, më shumë të drejta për prostitutat

Prostitucioni në Zvicër, ndonëse i lejuar, vazhdon të konsiderohet si zeje në kundërshtim me zakonet e mira të shoqërisë. Në këtë kuptim, prostitutat në bazë të ligjeve dhe praktikës në fuqi, nuk kanë të drejtë të kërkojnë përmes gjyqit shpërblimin për shërbimin e kryer. Por kjo do të ndryshojë së shpejti.
Komisionet juridike të të dyja dhomave të Parlamentit të Zvicrës kanë miratuar një iniciativë në këtë drejtim, të ardhur nga kantonet. Kështu, komisioni përkatës i Dhomës Nacionale ka miratuar me 17 vota për, 4 kundër dhe një abstenim një iniciativë nga Kantoni i Bernës që shkon në këtë drejtim, njofton shërbimi për informim i parlamentit.
Nga ana tjetër, komisioni respektiv i Dhomës së Kantoneve e ka miratuar iniciativën e përmendur që në fillim të këtij viti. Në fazën e tashme mund të fillojë përpunimi i një projektligji që rregullon këtë problematikë./Indeksonline/