E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet tregtari, kaloi një furgon me mallra kontrabandë

GJIROKASTËR- Kaloi një furgon me mallra duke iu shmangur detyrimeve doganore, por përfundoi i arrestuar.
Policia e Gjirokastrës ndaloi sot, tre kilometra larg pikës kufitare të Kakavijës, një tregtar 39 vjeçar, pasi nuk kishte paguar taksën doganore për mallrat që transportonte nga Greqia.
"Panajot Dumi, lindur dhe banues në qytetin e Tiranës, kishte hyrë sot në mëngjes nga Greqia në Shqipëri, me automjetin furgon tip "Benz", me targë TR 4714 N, me të cilin transportonte mallra të ndryshëm si frigorifer, kondicioner, televizor, rroba etj. Por duke shfrytëzuar lehtësirat që po zbaton policia kufitare, në kushtet kur mijëra emigrantë kthehen në atdhe për pushime, ai u largua nga pika doganore pa deklaruar asnjë mall që po transportonte", thanë burime zyrtare të policisë lokale.
Tregtari Dumi u ndalua në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative. Ky është rasti i dytë brenda këtij vitit që tregtarë të mesëm tentojnë të largohen nga dogana pa paguar detyrimet financiare që parashikon Kodi Doganor.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›