Fundjava, dyndje emigrantësh në dogana
Fundjava ka shtuar fluksin e emigrantëve në pikat doganore të vendit. Mbi 7500 udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kanë hyrë në Shqipëri gjatë 12 orëve të fundit, nga pika e kalimit kufitar të Kakavijes, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës.
Një ditë më parë, përmes kësaj pike hynë në territorin shqiptar mbi 11 mijë persona, shifra më e lartë e regjistruar gjatë 10 viteve të fundit dhe falë lehtësimit të procedurave nga pala greke nuk u krijuan radhë në kufi.
"Gjatë 12 orëve të fundit, nga Kakavija kanë hyrë mbi 7 mijë shtetas shqiptarë, 500 shtetas të huaj, 1200 automjete, si dhe 65 autobusë". Sipas burimeve, ky fluks lëvizjeje në këtë pikë kalimi kufitar pritet të vazhdojë deri në 15 gusht.
Sipas statistikave të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracioint më qarkun e Gjirokastrës, gjatë periudhës 1 qershor deri në 9 gusht të këtij vitit kanë hyrë 210.125 emigrantë shqiptarë dhe 15.255 shtetas të huaj.
Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika kufitare, ajo e Kakavijës, rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe "Tre Urat", rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut në komunën e Pogonit, rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, funksionon vetëm për këmbësorët.
Kapshticë
Fluks të ardhurish edhe në pikën doganore të Kapshticës. Mbi 10 mijë udhëtarë dhe rreth 3 mijë mjete hynë në Shqipëri gjatë ditës së shtunë, përmes në pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, rreth 30 km larg qytetit të Korçës. Ndërkohë në përpunimin e udhëtarëve dhe mjeteve nuk u paraqiten vonesa problematike.
Zakonisht emigrantët zgjedhin fundjavën për të udhëtuar në Shqipëri dhe kjo është vënë re edhe në fillim të muajit gusht. "Për të përballuar këtë numër të madh udhëtarësh, policia kufitare në Kapshticë punon me 6 sportele për vendosjen e vulave hyrëse", thonë burimet doganore.
Sipas burimeve të policisë kufitare në këtë doganë, edhe pala greke po punon me korrektësi dhe shpejtësi gjatë kontrollit të udhëtarëve dhe kjo ka sjellë shmangien e radhëve në territorin doganor.
Fillimi i muajit gusht që përkon me pikun e sezonit të pushimeve regjistron një numër të madh udhëtarësh që kanë hyrë nga Shqipëria përmes Kapshticës. Sipas të dhënave të policisë kufitare, nga fillimi i muajit gusht kanë hyrë nga Greqia mbi 40 mijë persona, shifër kjo që pritet të shtohet deri në mesin e këtij muaji