E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arreston 18 persona, midis tyre 10 ishin shqiptarë

20/06/2009  Trafiku i kokainës dhe heroinës

Karabinierët e Borgo San Lorenzos në provincën e Firences shkatërruan një bandë të përbashkët italo-shqiptare që trafikonte sasi të mëdha kokaine mes të rinjve dhe adoleshentëve në Firence, Arezzo e Bologne. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen burimeve të tyre të policisë operacioni për shkatërrimin e këtij rrjeti kriminal, ka filluar në janar të vitit 2008, ku u arrestuan 18 persona, ndër ta 10 shtetas shqiptarë dhe u proceduan 20 persona të tjerë. Mediat raportojnë se operacioni ka marrë emrin “Miush”, nofka me të cilën njihej njëri prej eksponentëve të bandës. Ai filloi pas kapjes së një hidrauliku shqiptar me 1 kilogram drogë në makinë. Pjesa më e madhe e anëtarëve të bandës u arrestuan në fillim të javës, por operacioni u mbyll tërësisht me kapjen e shqiptarit të fundit, i cili ndodhej në Shqipëri. Agjentët e antidrogës ishin vënë në dijeni se numri dy i kësaj organizate kishte udhëtuar në drejtim të Shqipërisë, ku pasi të qëndronte disa ditë ai do të kthehej përsëri në Itali. Mirëpo kur u kthye nga vendlindja atë e prisnin karabinierët, të cilët e çuan në burgun e Sollaçianos, ku ndodhen të mbyllur edhe persona të tjerë. Grupi hetimor i kësaj çështjeje deklaroi para mediave aktualisht hetimet e kësaj çështjeje do të zhvillohen për zbulimin e origjinës së heroinës dhe kokainës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›