E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’grabita asnjë lekë, në autobusin Kombinatit”

20/06/2009  Flet 70-vjeçarja A. Zera

Shtetasja 70-vjeçare A. Zera që u akuzua në polici nga shtetasi Ibrahim. R. se në datën 15 qershor e moshuara i kishte grabitur në autobus 4 mijë lekë të reja, ka reaguar duke pohuar se nuk kishte kryer asnjë grabitje madje sipas saj ka qenë pikërisht Ibrahim. R. ai që ka tentuar t’ia marrë shumën prej 4 mijë lekësh nga çanta. 70-vjeçarja që banon në një apartament pranë shkollës “Naim Frashëri” tregon se punonjësit e policisë duhet të kishin filluar procedim penal ndaj shtetasit Ibrahim. R. dhe jo ndaj saj, pasi në këtë ngjarje të paprecedentë sipas Zerës grabitësi është shtetasi që ka kryer ndaj saj padi penale në polici. E moshuara pretendon se në datën 15 qershor të këtij viti ndodhej në një nga autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio. Pasi i është afruar stacionit ku do zbriste, shtetasi i sipërcituar e ka akuzuar fillimisht atë se e moshuara i kishte grabitur atij shumën e parave prej 5 mijë lekësh të reja. Pretendimeve të Ibrahim.R., A.Zera u është përgjigjur pas zbritjes nga autobusi, e cila për të qenë transparente ka hapur çantën e saj, duke treguar se në të nuk kishte shumën e parave prej 50 mijë lekësh të vjetra që pretendonte Ibrahim. R., por vetëm 40 mijë lekë të vjetra. Mirëpo pas kësaj shtetasi i sipërcituar ka pretenduar se lekët që 70-vjeçaria mbante në çantë, kanë qenë të tijat duke pohuar se e moshuara mund të kishte prishur, një pjesë të tyre në autobus. Pas një debati midis tyre, A. Zera pretendon se Ibrahim.R. ka tentuar t’ia marrë shumën e parave. Lidhur me këtë situatë, 70-vjeçaria tregon se për të sqaruar konfliktin midis shtetasit të sipërcituar që të dy janë paraqitur në polici, ku dhe janë marrë në pyetje nga oficerët e komisariatit nr.3. Mbas përfundimit të marrjes së deklarimeve të tyre, punonjësit e policisë kanë vendosur që të regjistrojnë procedim penal ndaj shtetases A. Zera. Aktualisht specialistët e policisë së Tiranës po kryejnë veprime hetimore ndaj 70-vjeçares. Pritet që në ditët në vazhdim hetuesit të vendosin apo jo, dërgimin e akteve hetimore të këtij procedimi në Prokurorinë e Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›