Arrihet kompromisi, PD-PS miratojnë tre pikat e bllokuara

Mbyllet cështja e shumëdebatuar dhe një ndër kriteret kryesore për rrugën e integrimit të vendit. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka mbajtur sot mbledhjen e fundit të tij, një ditë para mbarimit të madatit përcaktuar nga Kuvendi i Shqipërisë, duke kaluar një e nga një të gjitha ceshtjet e mbetura pezull për të cilat u arrit konsensusi mes palëve paraditen e sotme. Në një prononcim për mediat të dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oert Bylykbashi e kanë vlerësuar pozitivisht hartimin e kodit të ri zgjedhor, ku sipas tyre i është hapur rruga transparencës së mbajtjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërsa sa i përket korrektimit të sistemit zgjedhor të kërkuar nga partitë e vogla, kjo cështje sipas tyre do ti lihet për gjykim të mëtejshëm Parlamentit. Takimi i sotëm ka përmbyllur ato që u quajtën çështje të nxehta dhe në terësi të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR për reformën.
Kështu palët kanë rënë dakort të pranojnë variantin e propozuar nga Partia Socialiste për riformatimin e KQZ. Në bazë të draftit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të riformatohet dhe kryetari i institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve do të zgjidhet me konkurs dhe do të votohet më pas në parlament në seancë plenare. Ndërsa 6 anëtarët e tjerë do të jenë propozime politike, 3 nga mazhoranca dhe tre nga opozita do të kenë mandate 6- vjeçar, kreu i KQZ-së do të ketë mandat 4 vjeçar por që të gjithë anëtarët dhe kryetari kanë të drejtë rizgjedhje.
Në bazë të draftit kryetari i KQZ-së , zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Ndërkaq lista e kandidiatëve për postin e kreut të KQZ-së i kalon komisionit të çështjeve ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve.
Komisioni i shqyrton kandidaturat në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Në këto kushte pas verifikimit të kritereve komisioni përzgjedh për t`iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të antarëve të komisionit por jo më pak se 2/3 e të gjithë antarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatet që gëzojnë mbështetjen më të madhe.
Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë; ndërkaq nëse shumicën e cilësuar nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis antarëve të komisionit. Në këto kushte kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim. Në këto kushte Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit. Po ashtu është rënë dakort që mandati i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të përfundojë në muajin shtator, pak muaj përpara afatit që ishte përcakturar më parë deri në shkurtin e vitit të ardhshëm.
Po ashtu palët politike në komisionin e reformës zgjedhore kanë rënë po ashtu dakort edhe për procesin e ankimimit. Drafti i dakortësuar parashikon që kërkesa për marrjen e provave kur mbështetet nga dy anëtarë të KQZ-së dhe kur këto prova administrohen vetëm nga KQZ, pranohet menjëherë pa ju nënshtruar debatit apo votimit në KQZ. KQZ është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara.
Pika e tretë e debatuar dhe që vijon të të mbante punën e komisionit të pambyllur është përdorimi i teknologjisë në zgjedhje. Edhe në këtë pikë palët kanë gjetur kompromisin e kërkuar, pasi janë përcaktuar zonat ku do të përdoret numërimi elektronik i votave, ku ëhshtë rënë dakort që përdorimi i teknologjisë për identifikimin e kartave të identitetit do të përdoret në qarkun e Tiranës, ndërsa numërimi elektronik do të realizohet në qarkun e Fierit.
Kur përdoret sistemi elektronik i numërimit të votave procedurat, afatet, veprimet përpara dhe pas mbylljes së votimit me paisjen, të personelit përgjegjës për përdorimin e paisjeve elektronike në QV, përcaktohen në aktin normativ të KQZ-së. Me zgjidhjen e këtyre tre çështjeve, puna e komisionit të reformës zgjedhore u përmbyll mbledhjen e pasdites së sotme, për të kaluar për miratim në seancën plenare të së enjtes.