E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrihet marrëveshja, Greqia merr paketën e ndihmës, 130 mld €

BRUKSEL - Eurogroup arriti marrëveshjen për një paketë të re të ndihmës ekonomike për Greqinë, pas një seance maratonë që përfundoi pas orës 5:00 të mëngjesit të së martës në Bruksel.

Sipas njoftimeve zyrtare, marrëveshja përfshin ofrimin e ndihmës së re financiare për Greqinë, me vlerë 130.000.000.000 € dhe procedurat për prerje të borxhit, i cili do të reduktohet në 120.5% PBB deri në vitin 2020. 

Që në fillim të mbledhjes, atmosfera ishte pozitive, por bisedimet për "prerjen" e borxhit, kundërshtimet e disa vendeve të tilla si Holanda e cila kërkonte kujdestari të përhershme të Athinës dhe reagimet e individëve për masën e "prerjes" së borxhit, e vonuan rezultatin.

Vendimi për të reduktuar borxhin me 120.5 % është konsideruar si një zhvillim shumë pozitiv, sepse pritet ta bëjë të besueshme ekonominë greke. Plani i mbështetjes do të lejojë zhvillimin e borxhit publik grek në 120.5 % të PBB deri në 2020, një nivel të afërt me 120%, që kërkohej nga disa huadhënësit, Gjermania, Hollanda dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndërkohë në negociatat paralele me Eurogrup, sektori privat (bankat) ranë dakord për të rritur prerjen e vlerës nominale të zotërimeve bonove në 53.5% kundrejt 50%. Kreditorët privatë pranojnë kështu një reduktim edhe më të madh, në borxhin që iu ka Greqia.

Eurogrup ra dakord gjithashtu për të rritur praninë e përhershme të Task Force në Athinë, përfshirë praninë e zgjeruar të Trojkës mbështetur nga ekspertët, në mënyrë që të jetë në gjendje për të siguruar koordinim të plotë në kontrollin e zbatimit të programit. 

Vendimet i njoftoi vetëm pas orës 06:00 të këtij mëngjesi, presidenti i Eurogroup Jean Claude Juncker në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisionerin Olli Rehn dhe kreun e FMN-së, Christine Lagarde. 

Marrëveshja e re e kredisë do të nënshkruhet në fillim të marsit.

Athinës i nevojiteshin paratë deri në mes të marsit, kur ishte afati i fundit për pagesën e këstit të huasë me vlerë 14.5 miliardë Euro dhe praktikisht për të shmangur falimentimin e sigurt. 

Menjëherë pas shpalljes së marrëveshjes, Euro pësoi një rritje të dukshme në treg. Brenda dhjetë minutash Euro u rrit nga 1.3185 në 1.3266 kundrejt Dollarit. 

Deklaratat

Kreu i FMN-së, Christine Lagarde, e përshëndeti marrëveshjen dhe theksoi se deri në fund të shkurtit, Greqia duhet të respektojë angazhimet e saj dhe të përfitojë nga progresi i madh që shënoi Eurogroup me vendimin e tij.

"Eurogroup është në dijeni të përpjekjeve të mëdha të bëra nga qytetarët grekë, por është e nevojshme puna e mëtejshme, për të kthyer në Greqi zhvillimin e qëndrueshëm", tha Presidenti i Eurogrup Jean-Claude Juncker, pas përfundimit të negociatave. Juncker tha gjithashtu se praninë e Trojkës në Athinë do të forcohet, me qëllim që të mbikëqyrë nëse programi do të zbatohet siç është rënë dakord. 

"Zbatimi i marrëveshjes së kredisë së re dhe zbatimi i PSI, do të rrisë besimin dhe do të zvogëlojë pasigurinë që ndjejnë njerëzit, në lidhje me perspektivën e ekonomisë", tha kryeministri Lukas Papadhimos. Kryeministri raportoi për tri zhvillime pozitive që do të sillte miratimi i programit, që janë: përmirësimi i konkurrencës, përmirësimi i klimës ekonomike dhe politike, dhe shpëtimi i ekonomisë greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›