Lidhja Demokratike e Gruas zgjedh strukturat e reja drejtuese në Krujës

Albana Vokshi: Gratë, rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë mbajti Kuvendin e degës Krujë nga ku u zgjodhën strukturat drejtuese të këtij forumi pas një procesi riorganizimi të seksioneve në këtë njësi administrative, pjesë e qarkut Durrës. Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e LDG-së, Krujë, Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi deklaroi se organizata partnere e Partisë Demokratike ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit. Znj.Vokshi deklaroi gjithashtu se LDGSH po punon ngushtësisht me të gjitha institucionet në vend për të përmirësuar statusin social të gruas. Duke theksuar nismat e qeverisë shqiptare për politikat gjinore, znj. Vokshi tha se nën vëmendjen e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të PDSH, Prof. Dr.Sali Berisha, Shqipëria është angazhuar për të fuqizuar edhe statusin ekonomik të gruas, duke e bërë pjesë në vendimmarrjen publike dhe duke krijuar lehtësira edhe për angazhimin e saj në sipërmarrje private. Punimet e Kuvendit të LDG-së Krujë u ndoqën nga afër nga deputeti i Partisë Demokratike, Ylli Lama dhe drejtues të strukturave të PD. Në Kuvend u votua për forumet drejtuese, ku Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Krujë u zgjodh Merita Bakiu. Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është përfshirë në një proces riorganizimi në të gjitha strukturat e saj. Në 15 degë të LDGSH janë mbajtur kuvendet nga ku janë zgjedhur forumet drejtuese të organizatës politike më të madhe të grave në vend me 15 mijë anëtare.
...