E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrijnë në Durrës 10 anije ushtarake për stërvitjen e përbashkët “ADRION LIVE-09”

Stërvitja ushtarake detare e koduar "Adrion Livex 09" që do të zhvillohet në ujrat territoriale shqiptare, ka sjellë në portin e Durrësit 10 anije ushtarake, pesë nga të cilat përfaqësuese të forcave tona detare, ndërsa të tjerat nga Kroacia, Italia, Greqia, Sllovenia dhe nga Mali i Zi. Gjatë një konference për shtyp sot paradite, shefi i shtabit të Brigadës sonë Detare, kapiten i rangut të parë Roland Nasto tha se objektivi kryesor i stërvitjes është përmirësimi i standarteve të ndërveprimit ndërmjet forcave detare pjesmarrëse, rritja e aftësive për drejtimin e operacioneve në raste krizash në mjedisin detar, operacionet e kërkim-shpëtimit SAR, etj. Nasto shtoi se Forcat tona detare për herë të parë organizojnë dhe drejtojnë një stërvitje me përmasa të tilla në ujrat tona territoriale. Sot në mesditë një grup drejtuesish të anijeve të vendeve mike që kanë mbërritur në portin e Durrësit zhvilluan vizita në prefekturën e qarkut dhe në bashkinë e qytetit, ku u pritën nga autoritete të larta vendore. Stërvitjet "Adrion Livex" kanë nisur në vitin 2006 në Ankona të Italisë në mbështetje të Nismës së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të Adriatkiut dhe Jonit. Në 2007 kjo stërvitje u zhvillua në Korfuz (Greqi) dhe në 2008 në Split (Kroaci). Stërvitja që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, i cili tashmë është anëtar i NATO-s do të zgjasë deri më 12 qershor dhe do të zhvillohet kryesisht në rajonin detar të Vlorës....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›