E Diel, 1 Nëntor 2026

Arritjet dhe sfidat e prodhuesve vendas në tregun e vajit të ullirit, djathit dhe mjaltit

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama kishte sot të ftuar në Podkastin “FLASIM” – Episodi 7, Sezoni 6, përfaqësues të prodhimit vendas të vajit të ullirit, djathit dhe mjaltit, të cilët prezantuan historitë e tyre familjare dhe suksesin në tregjet ndërkombëtare.

Rama theksoi se bëhet fjalë për gjeneratën e dytë të prodhuesve që ngritën sipërmarrjet e tyre pas rënies së kooperativave, duke u mbështetur në punë, vizion dhe ambicie.

“Këta katër djem i kam thirrur jo vetëm për të treguar historinë e tyre, por edhe për të dëshmuar që jetohet mirë me punën në fshat. Jetohet mirë me punë, e mbështetur në një vizion dhe patjetër në ambicie dhe vullnet sipërmarrës, jo thjesht duke pritur me sytë nga qielli se po vjen ndonjë subvencion”, u shpreh Rama.

Franci, përfaqësues i pikës prodhuese të djathit “Butrinti”, tregoi historinë familjare të biznesit, i cili e ka zanafillën te gjyshi i tij blegtor.

“Biznesi ka filluar nga gjyshi që ishte blegtor. Babai nuk donte të shkonte pas bagëtive dhe mbaroi shkollën për kimist në Tiranë, punoi në fabrikën e qumështit në Livadhja dhe më pas hapi biznesin e tij në fshatin Shkallë, ku gjendeshin të gjithë arumunët. Që prej vitit 1992 biznesi ynë është në këtë fshat. Kemi shumë vite në tregun shqiptar. Shumica e produktit shitet në Shqipëri, 20% eksportohet drejt Amerikës. Ëndrra është Bashkimi Europian. Kam tre vite që merrem me këtë punë. Menaxhojmë 24 mijë krerë nga Konispoli në Gjirokastër”, tha ai.

“Pra janë krerë të blegtorëve të ndryshëm që në bashkëpunim ndajnë djersën dhe suksesin”, shtoi Rama, duke theksuar se ka pasur rritje të numrit të krerëve.

Bruno, përfaqësues i vajit të ullirit “Musai”, theksoi se biznesi familjar ka lindur rreth 30 vite më parë si nevojë për zonën e Vlorës.

“Administroj një biznes familjar që është lindur si ide nga prindërit e mi rreth 30 vite më parë. Ideja lindi si nevojë që kishte zona e Vlorës, vinim nga një sistem tjetër dhe u shkatërrua çdo gjë, fermerët nuk kishin ku ta përpunonin prodhimin e tyre. Babai bleu një linjë në atë kohë dhe ia vuri në dispozicion fermerëve. Filluan bashkëpunimet me projekte të huaja pas viteve 2000 dhe me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Jemi duke eksportuar më shumë se gjysmën e prodhimit, kryesisht në Amerikë, por edhe në Europë. Eksportojmë në Zvicër, Çeki, kemi eksportuar deri në Hong Kong dhe në Lindjen e Mesme. Vaji ynë është vlerësuar me medalje ari në konkurse ndërkombëtare. Kemi 20 medalje ari. Fokusi ynë ka qenë cilësia”, tha ai.

Johani, përfaqësues i kompanisë “Amarilto” nga Lezha, që merret me përpunimin e ullinjve për konservim, u shpreh se kompania është 100% e orientuar drejt eksportit.

“Jemi 100% eksport, nuk jemi në tregun vendas. Eksportojmë në 12 vende të Europës dhe së fundmi kemi marrëveshje me shtetin e Azerbajxhanit. Funksionojmë me dy fabrika. Njëra është për produkt përfundimtar për shitje direkte në markete, ndërsa fabrika tjetër është industriale, ku furnizojmë industri të ndryshme me lëndë të parë. Prodhimi vjetor arrin rreth 6 mijë tonë ullinj të konservuar”, tha ai, duke shtuar se sot është krenari të thuash se je prodhues nga Shqipëria.

Përfaqësuesi i mjaltit “Morava” tregoi se aktiviteti nisi nga gjyshi si amator dhe më pas u zhvillua nga babai i tij, profesionist në ndërmarrjen bujqësore në Korçë.

“Ne privatizuam një nga parqet me 30-40 koshere bletësh. Ishte e vështirë sepse nuk kishte bazë materialesh. Më pas filluam të marrim pjesë në panaire. Tashmë jemi të vetmit që eksportojmë mjaltin shqiptar. Janë bërë gati 15 vite që eksportojmë në Amerikë, Kinë, Japoni, Singapor. Në Europë e kemi të ndaluar. Shpresoj që shumë shpejt të hapen negociatat dhe të mbyllet kjo puna e produkteve me origjinë shtazore”, tha ai.

Kryeministri theksoi se çështja e produkteve me origjinë shtazore është një nga nyjet më të vështira në raport me Bashkimin Europian.

“Kjo e produkteve shtazore është një nga nyjet më të vështira me ta, sepse sigurinë ushqimore e kanë shumë të fortë. Duhen standarde dhe shumë punë. Ju mund ta keni produktin brenda standardeve, por certifikimi prej tyre është shumë i vështirë për produktet me origjinë shtazore”, u shpreh Rama. /j.p/

1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›