Arsi Bako fiton “Diamantin Blu” në Kosovë, kënga “Rreze zjarr” vlerësohet më e mira në Festivalin e Këngës

Këngëtarja nga Tirana, Arsi Bako, me këngën “Rreze zjarr”, është fituesja e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, një mbrëmje që u shënua nga konkurrenca e fortë dhe performancat e shkëlqyera.
Krijimi me frymë rock, me tekst dhe muzikë nga Gjergj Kaçinari, ndërsa orkestrimi nën dirigjimin e Alfred Kaçinarit, u vlerësua si më i miri i këtij edicioni nga juria profesionale e kryesuar nga kompozitori i njohur Xhevdet Gashi.
Çmimi i dytë iu dha Florent Abrashit me këngën “Unë dhe ti”, ndërsa vendi i tretë u akordua Arjeta Palushajt me “Andrra”.
Kënga fituese “Rreze zjarr” u veçua për vokalin e fuqishëm të Arsi Bakos dhe interpretimin emocionues.
Edicioni i tretë solli vlerësime edhe për artistët e tjerë: Art Lokaj, me këngën “Ty”, fitoi Çmimin e Orkestrës; Teuta Halili, me “Amin”, u shpërblye me Penën e Argjendtë.
Mbrëmja u pasurua me prezencën e të ftuarve specialë, artistë të njohur të skenës shqiptare që sollën performanca të veçanta jashtë konkurrimit, duke i dhënë festivalit një atmosferë edhe më festive dhe dinamike.
Festivali i Këngës në RTK, tashmë një ngjarje e rëndësishme e muzikës në vend, dëshmoi edhe këtë vit rolin e tij në promovimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e artistëve të afirmuar, duke ofruar një prodhim të standardeve të larta televizive.
Edicioni i tretë u transmetua drejtpërdrejt në RTSH1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/