Raundi i dytë i zgjedhjeve, mbyllet procesi i votimit në Kosovë

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në 18 komunat të Kosovës ku është zhvilluar procesi i balotazhit për kryetar komunash.
Sipas të dhënave preliminare nga rreth 99% e qendrave të votimit deri në orën 19:00 kanë votuar 429 mijë e 736 qytetarë apo 32.64% e atyre me të drejtë vote, nga gjithsej 1 milion e 316 mijë e 672 votues. Në të njëjtat komuna, në raundin e parë kishin votuar 38.91% apo 512 mijë e 160 votues.
KQZ njofton se mbetet në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore komunale dhe institucionet përkatëse, me qëllim të garantimit të zbatimit të ligjit dhe rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit.
Deri më tani janë paraqitur disa ankesa për votimin me asistencë, gjë për të cilin KQZ ka sqaruar se kjo është një e drejtë e garantuar me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregulloret e saj, që u mundëson personave me aftësi të kufizuara të votojnë me ndihmë.
/rtsh.al/