Arsimi profesional; Krijohet Qendra e Përgatitjes së Prodhuesve të Bukës në Durrës
Shoqëria shqiptaro-zvicerane Albvet ka përuruar dje krijimin e Qendrës së Përgatitjes së Prodhuesve të Bukës në Durrës, si një shtysë për zhvillimin e arsimit të mesëm profesional në ato fusha të punësimit, ku nuk nevojitet arsimi i lartë.
Duke përuruar qendrën, z. Matthias Jaeger, drejtues i programit Albvet në Shqipëri, theksoi: “Synimi i përbashkët i të gjithë partnerëve në këtë projekt është të ofrojë shërbime trajnimi për të rinjtë e këtij rajoni (Durrësi, Tirana e zona përreth) në një profesion ku tradicionalisht ka munguar trajnimi. Tashmë, nëpërmjet bashkëpunimit të një rrjeti partnerësh, prodhimi do të bëhet nga individë që do ta marrin zanatin, duke u përgatitur me teknologjinë gjermane dhe me kombinimin e sistemit dual, pra duke punuar pranë furrave të bukës, por edhe duke u trajnuar në qendrën e sapongritur”.
Trajnimi i të rinjve bazohet mbi parimin e të mësuarit nëpërmjet punës dhe bëhet në qendrën e ngritur për këtë qëllim nga projekti Albvet.
Siç shpjegoi edhe kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i gjithë aktiviteti është në thelb reflektimi më i mirë i funksionimit të partneritetit publik - privat. Bazuar në këtë filozofi, autoriteti lokal, pra Bashkia Durrës, ofroi mundësi për aktorë të biznesit privat (prodhuesit e bukë), që ata, të ndihmuar nga partnerë ndërkombëtarë, të ofrojnë mundësi trajnimi profesional të një niveli të lartë për komunitetin e të rinjve të këtij rajoni.