Etnografia ekspozitë njëorëshe, s’ka roje!
“Thesaret e kulturës materiale shqiptare” ishte ekspozita e shpejtë që u hap, dje, në Muzeun Arkeologjik dhe hollin e QSA-së, në kuadër të Ditët e Albanologjisë”. Ajo ka qëndruar vetëm një orë e gjysmë me dyer të hapura, për shkak të kushteve të pafavorshme të sigurisë. “Nuk ka polic roje, kështu e bën të pasigurt mbajtjen e kësaj ekspozite më gjatë se një ditë”, - ka thënë drejtori i Qendrës Albanologjike, Adrian Marashi. Në prani të shumë personaliteteve shqiptare dhe të huaja janë prezantuar shtresimet e antikitetit përmes zbulimeve të shumta arkeologjike, si objekte materiale të kulturës shqiptare, veshje tradicionale të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, qeramika, terakota, apo zbukurime që u përkisnin fiseve ilire, si paraardhës të shqiptarëve, duke na risjellë në vëmendje përmes kësaj ekspozite, traditën, historinë dhe kulturën e lashtë unike shqiptare. Të gjitha objektet i përkasin periudhës mesjetare e deri në vitet e komunizmit, ndërsa hera e fundit e prezantimit të tyre daton në 1993 në ish-ekspozitën “Shqipëria Sot”. E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila vizitoi me radhë pavijonet e periudhave historike, duke vlerësuar hulumtimin dhe promovimin e gjurmëve historike, të trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë më të qenësishme të identitetit shqiptar. Ekspozita u vlerësua edhe nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili u nderua me titullin “profesor” gjatë ditëve të albanologjisë, u shpreh se “kjo është një ekspozitë e shkëlqyer. Ne kemi thesare të mëdha që ende nuk janë ekspozuar plotësisht, ndërsa qendra e studimeve albanologjike ka në misionin e saj edhe këtë aspekt, pra për t’i restauruar këto thesare dhe për ti bërë gati që të ekspozohen edhe për publikun e gjerë”. Ndërkohë, drejtori i QSA-së, Ardian Marashi, tha se ekspozita “Thesaret e kulturës materiale shqiptare” simbolizon më shumë rolin e një kartoline urimi për ata persona, të cilët nuk gjejnë mundësinë të ndjekin ecurinë e këtij institucioni nga afër. “Ekspozitë ishte e përkohshme, sepse nuk kemi hapësira organizimi dhe kushte garancie. Por kemi menduar që nëpërmjet kësaj ekspozite të ofrojmë një lloj urimi për vitin e ri atyre që i ndjekin më pak veprimtaritë e studimeve të albanologjisë si ambasadat e huaja, trupi diplomatik, të cilët punojnë në Shqipëri. Në këtë mënyrë ata duhet të përfitojnë sa më shumë nga kultura shqiptare sepse përbën edhe një ndër veçoritë tona, që ndikojnë në rrugën tonë drejt komunitetin evropian”, - shprehet drejtori i QSA-së, Marashi.