Kontratat e reja me spitalet, si përfitohen shpërblimet për mjekët
Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm mjekët e spitaleve në të gjithë vendin do të përfitojnë 5% shtesë page, e aplikuar nga ISKSH-ja në bazë të disa kritereve të cilat janë miratuar në kontratat e reja. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, tha se me nënshkrimin e kontratave me 39 spitale publike, nga të cilat 4 spitale në nivel terciar do të ketë forma të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh.
Spitalet
“Një vit pas përfshirjes së spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, kontratat e reja kanë përmirësime të dukshme që lidhen me cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve”, - tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Ndryshimet e bëra në kontratat e reja lidhen me indikatorët që shërbejnë për të matur performancën e mjekëve ku në bazë të plotësimit, në fund të vitit, ISKSH do të aplikojë dhënien e bonusit në masën 5% mbi buxhetin e planifikuar, si një metodë efikase për të stimuluar mjekët.
Kështu, indikatorët e vendosur janë përqindja e shfrytëzimit të shtratit (sa më e lartë të jetë aq më efikas është spitali), përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë (sa më e ulët të jetë, aq më efikas është shërbimi), përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali (sa më e lartë të jetë aq më efikas është shërbimi e njëherësh edhe përfitimi i mjekëve), përqindja e kryerjes së operacioneve cezariane te gratë shtatzëna (kur është e ulët tregon performancë të mirë të maternitetit).
Ndërkohë që në lidhje me indikatorin e përqindjes së kryerjes së operacioneve cezariane, drejtoresha u shpreh se duke parë këtë si një trend që ka ardhur në rritje, është vendosur një standard që është botëror, i sugjeruar dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Nëse do të ketë një përqindje më të lartë se 20%, të të gjithë lindjeve me operacione cezariane, kjo do të thotë se spitali ka një performancë jo të mirë. Ne do te japim pagesën bonus (mbi buxhetin që jepet për spitalet) për ato spitale që nuk e kalojnë limitin prej 20% të lindjeve me operacion, duke ju përafruar kështu standardeve evropiane ku kjo % varion nga 16-20%”, - deklaroi Hana.
Poliklinikat
Ndryshime cilësore ka edhe në kontratat që ISKSH do të lidhë me 414 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Janë shtuar disa tregues që masin punën e mjekëve të cilët përfitojnë bonusin, pra një pagesë shtesë prej 5% mbi pagën. Në qendrat shëndetësore do të matet për herë të parë indikatori për ndjekjen e mirërritjes së fëmijëve dhe ai për ndjekjen e sëmundjeve kryesore kronike: diabetit dhe hipertensionit. Pjesë e bonusit që do të japë ISKSH për mjekët janë edhe trajnimet. Nëse mjekët e poliklinikave, nëpërmjet përditësimit të njohurive, arrijnë të realizojnë kreditet e përcaktuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, do të përfitojnë pjesën e përcaktuar të bonusit.