E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsyet përse Berisha ka gjetur njeriun e duhur!

Share

Nga Mero Baze

Përzgjedhja e Artan Hoxhës për president të Republikës, i dha fund hamendjeve për konsensus mes palëve dhe shpresës se Berisha do ti hapte rrugë ndonjë emri jo të afërt me të. Lëvizja e tij nga Jozefina Topalli tek Artan Hoxha është bërë në të gjitha rastet duke mos i ikur parimit të një kandidati të sigurt për të.

Nga pikëpamja politike brenda PD, triumfoi skema e shantazhit që Lulëzim Basha bëri përmes Ilir Metës për të shmangur nga kandidimi zonjën Topalli. Me përzgjedhjen e Hoxhës, Basha ka konsoliduar përfundimisht pozitat brenda PD dhe LSI ka shtuar arsyet të qëndrojë me PD jo vetëm deri në vitin 2013, por dhe në zgjedhjet e reja.

Edhe pse zonja Topalli duket se është e fyer nga anashkalimi i saj, as ajo dhe as mbështetësit e saj nuk duket se do të bëjnë ndonjë gjest kundër kandidatit të përzgjedhur nga kundërshtarët e saj brenda PD-së me bekimin e Berishës. Ajo që shikon më me shqetësim Topalli në këto momente është lehtësia me të cilën Berisha i hap rrugë çdo kandidati të dyshes Meta- Basha dhe moskonsiderimi i saj dhe mbështetësve të saj si një palë që mund të riprodhojnë probleme brenda PD-së. Kështu që pritshmëria se ajo do të rezistojë është një iluzion. Përkundrazi ajo po përpiqet ta shikojë këtë rast për ti dëshmuar Berishës se ajo është luajale dhe kur e poshtërojnë.

Nga pikëpamja teknike, Hoxha është një kandidat më i kompletuar se kandidatët e tjerë për detyrën që po merr. Ai ka një përvojë të hershme politike dhe një traditë të përfshirjes në problematikat e qeverisjes këto 13 vjet. Ka një formim dhe inteligjencë më të lartë se kandidatët e tjerë të përfolur dhe një njohje shumë të mirë të marrëdhënieve me publikun. E njeh mirë medien, nuk është publicist siç thotë Berisha, por një propagandistë i aftë dhe konformist me gjithë qeveritë e këtij vendi, së paku pas vitit 1997.

Ana e tij e fort që mund ta bëjë atë kandidat të votuar nga shumica është pikërisht artikulimi prej tij i qëndrimeve publike për disa ngjarje që kanë tronditur rëndë shoqërinë shqiptare siç është 21 Janari, apo vjedhja e mandatit të 8 Majit në Tiranë. Hoxha është i vetmi zë pro qeverisë, që ka pasur qetësinë e duhur të jetë avokat i vrasjeve të 21 Janarit dhe veprimeve të Berishës dhe avokat i vjedhjes së mandatit të Lulëzim Bashës në Tiranë. Këto dy beteja të mëdha të tij publike e kanë bërë atë një figurë të adhurueshme për Berishën dhe i japin shansin që të votohet më shumë se sa një kandidaturë politike brenda PD-së. Ndryshe nga kandidatët e tjerë, për të cilët dyshonim se ishin njerëz që do të bënin çfarë u thoshte Berisha, tani do të kemi një president, i cili i ka treguar Berishës se çduhet të bëjë pas gjëmave të mëdha që ka bërë këto vite në qeverisje, për të shpëtuar.

Është po ashtu kjo arsyeja që ai nuk shqetësohet për votat e opozitës dhe refuzimin e prerë të saj. Nuk pretendon të jetë presidenti i gjithë palëve. Po ta dinte se do ta propozonin një ditë, ndoshta s’do fliste ashtu për 21 Janarin dhe 8 Majin, por po të mos fliste ashtu, nuk do ta propozonin. Për këtë arsye përzgjedhja e tij është përzgjedhja më radikale e Berishës e një kandidature që kombinon një figurë politike dhe një mbështetës personal të tij dhe familjes së tij. Qëndrimet e tij publike për Gërdecin, 21 Janarin, 8 Majin, korrupsionin me Rrugën e Kombit dhe afera të tjera të mëdha të PD-ja janë siguria më e madhe se në krye të vendit po shkon dikush që do të mbyllë përfundimisht këto letra. Është një arsye shumë e fortë për ti pasur gjithë votat e shumicës vetëm për këtë shkak. Dhe natyrisht për të mos pasur kurrë mbështetje të opozitës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›