Të përfshirë e të përjashtuar
Ndër 150 milionë njerëzit nëpër botë do të jenë edhe shqiptarët që nëpërmjet kanaleve të ndryshme televizive do të përjetojnë plot emocione ndeshjet finale të Euro 2012 nëpër stadiumet e Polonisë dhe të Ukrainës, të cilat nisën të premten e kësaj jave. Vetëm se ndryshe nga bota, ne këtu në Shqipëri i përjetojmë ngjarjet e gëzueshme të të tjerëve sikur të ishim pjesë përbërëse e tyre, pra dukemi si protagonistë e të përfshirë plotësisht në to, kur realisht jemi të vetmit për të përjashtuar deri në ekstrem vlerat ndaj njëri-tjetrit. Konkretisht, vendet finaliste të këtij europiani kanë të drejtën legjitime për t’iu gëzuar arritjeve të tyre futbollistike, gjë që e shprehin nëpërmjet formave e mënyrave të ndryshme, duke respektuar me këtë rast edhe vlerat përkatëse, ndërsa ne, edhe pse nuk jemi pjesë reale e kësaj gare, megjithatë, në shfaqjen pompoze që paraqesim nëpër mjedise të çfarëdoshme, pretendojmë të ngjajmë si të përfshirë në këtë lojë, paçka se jemi të eliminuar e të përjashtuar që në gjenezë prej kësaj loje. Një vend si ky i yni, ku shtrëngimi i duarve mes Presidentit të Republikës dhe të parit të qeverisë përbën lajm(!?), mbetet paradoksal dhe unikal për gjininë përjashtuese të vlerave ndaj njëri-tjetrit. Dy dekadat e fundit, përfshi edhe fillimin e së tretës, kur dy palë janë vënë përballë dhe përjashtojnë njëra-tjetrën për të mos njohur një datë të vetme të çlirimit të vendit, është shembulli më i keq i të vepruarit dhe i të konceptuarit të gjërave tek ne. A nuk jemi të gatshëm ne për ta lënë vendin pa kryetar shteti, po qe se nuk na detyrojnë të tjerët, ata të huajt, të cilët e kanë parë se çfarë koke kemi prandaj na kanë gjetur edhe festen që na duhet? Ne jemi ata që duam të përfshihemi kudo dhe për çdo gjë, dhe po kështu me të njëjtën lehtësi, të papërballueshme, i japim duart tjetrit, duke e përjashtuar. Rasti i kampionit tonë të saposhkurorëzuar për përdorim dopingu, Erkand Qerimaj, i ngjau përshkëndijimit të vetëtimtë të një meteori, ku vendin e komenteve dhe analizës ndaj kësaj dukurie të dëmshme në sportin e peshëngritjes, e zuri, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, festa e tjetërkujt në fakt, kjo e finaleve të Euro 2012. Apo, jeta vazhdon!
Njihet aksioma se, e mira vazhdimisht bashkëshoqërohet me të keqen, por ajo që duhet thënë veçanërisht për ne, është se të këqijat këtu harrohen shpejt, duke u mbuluar e zënë shtresë prej ngjarjeve të gëzueshme që i takojnë më së shumti të tjerëve, jashtë kufijve tanë, ashtu siç po ngjet këto ditë kur me të nisur ndeshjet finale të Euro 2012 në futboll, shpërthyen fishekzjarrët, për t’u fashitur, sikur të mos ekzistonte fare, fasada e shëmtuar e realitetit që përjetojmë. Në këtë valle festive europiane ku edhe pse të përjashtuar, ne hiqemi si protagonistë, me lloj-lloj shfaqjesh spekulative, nuk ka se si mos të të tërheqin vëmendjen maniera të tilla konjukturale e prej servili të disa mediave tona që përdorin si fallxhorë, për të parashikuar rezultatet e ndeshjeve të këtij europiani, pikërisht emrat dhe figurat e shumë politikanëve dhe zëdhënësve të tyre, ndërkohë që vetë europianët kanë zgjedhur një lopë për ta bërë një gjë të tillë! Të përfshirë në çdo gjë dhe për çdo gjë, vetëm për të bërë një show artificial dhe të pa dobi’, të përjashtuarit e vlerave ndaj njëri-tjetrit, është puna më e mirë që historikisht kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë edhe në këto ditë kur edhe pse bëjmë sikur po rropatemi për të zgjedhur Presidentin e ri, (duke ngrënë kokën mes vedi - siç thonë në kësi rastesh shkodranët), përkundrazi i kënaqemi ndeshjeve që shohim nga ekrani, pse jo edhe ndonjë bilete fituese lotarie, një prej “mjeteve të jetesës”, zbuluar kohët e fundit në Shqipërinë tonë kapitaliste!
Kotësia e përfshirjes së racës sonë në çdo gjë dhe për çdo gjë, duke u hequr si protagonistë, kur nuk jemi aspak të tillë, duket më së miri nga injorimi dhe përbuzja, deri përjashtuese, e vlerave ndaj njëri-tjetrit, këtu midis nesh. P.sh., duket absurde dhe fyese kur për një problem të caktuar nuk flet specialisti - profesionist i fushës përkatëse, por një tjetër, thuajse anonim. Kur flet Mishel Platini për futbollin, ky fakt e tërheq së tepërmi vëmendjen e të gjithëve sepse kushdo e di se ç’mrekulli ka bërë dikur ky mjeshtër me artin e tij të shprehur në fushën e lojës, duke qenë tashmë me meritë edhe në krye të punëve në qeverinë e futbollit europian; po kështu mëson shumë dhe kërkon të dish sa më tepër kur flet Saviçeviç, që vite më parë të mahniste kur luante me Milanin, ndërsa sot si emblemë futbollistike e vendit të tij drejton edhe federatën përkatëse të Malit të Zi..., për të vazhduar me personalitete të tjera të tilla nëpër fushat e tyre, dhe jo siç ngjet tek ne ku më së shumti, anonimati dhe të paaftët bëjnë moralin e këtij vendi...
(GSH/BalkanWeb)