Angjelina Zholi : Ditar për vuajtjet e refugjatëve kosovarë
Ylli i Hollivudit në Gjenevë ka folur për vuajtjet e refugjatëve në botë, duke thënë se këto vuajte i kanë përjetuar edhe shqiptarët etnikë të Kosovës nën regjimin e Serbisë. E veshur e gjitha në të zeza, me fare pak tualet, aktorja Angjelina Zholi foli në Gjenevë për udhëtimet e saj të fundit në kampet e refugjatëve në Kenia, Somali dhe Afganistan, ku ishte tmerruar me atë që kishte parë atje. Ajo mbajti një fjalim gjatë qëndrimit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, ku iu lut për ndihmë Komitetit Ekzekutiv të Komisionarit të Lartë për Refugjatët (UNHCR). Por ndër të tjera në fjalën e saj ajo u shpreh se vuajtjet e refugjatëve në këto vende ishin thuajse njësoj me ato që kanë kaluar shqiptarët e Kosovës nën regjimin e Serbisë. Për përvojën e saj në Kosovë, ambasadorja e Vullnetit të Mirë për OKB-në, Angjelinë Zholi, ka mbajtur edhe një ditar që e ka publikuar së fundmi. Ai është një libër kujtimesh, ku aktorja përshkruan udhëtimet dhe përvojat personale me turma njerëzish që zhvendoseshin me dhunë nga Kosova. Pjesë e këtij libri-ditar është dhe përvoja e saj më pas në Sri Lanka. Ditarët që janë përmbledhur në një libër të botuar së fundmi përshkruajnë shpresën dhe dëshpërimin e refugjatëve, të kthyerve dhe të zhvendosurve, që aktorja Angjelina Zholi ka hasur gjatë udhëtimeve të saj në këto vende. “Është privilegj dhe kënaqësi të punosh për t'i ndihmuar të pastrehët dhe do të vazhdoj të punoj për ta edhe gjatë 10-vjeçarit të ardhshëm. U jam mirënjohëse shumë familjeve të pastreha, me të cilat kam pasur nderin t'i kaloj vitet e fundit. Prej tyre kam mësuar shumë gjëra. Kam mësuar që të bëhem një njeri më i mirë dhe një nënë më e mirë. Ato më kanë frymëzuar, duke më treguar çdo ditë forcën e pathyeshme të shpirtit human”, ka thënë ajo para gazetarëve. Ylli i Hollivudit, edhe kësaj radhe, në Gjenevë, ka përmendur Kosovën, duke folur për vuajtjet e refugjatëve në botë, dhe këtë, sipas saj, e kanë përjetuar edhe shqiptarët etnikë nën regjimin e Serbisë. Aktorja Angjelina Zholi nga gushti 2001 udhëhoqi më shumë se 40 misione në terren, duke përfshirë edhe Kosovën. Gjatë vizitës në Kosovë, prej 27-30 dhjetor ajo zhvilloi takime me refugjatë kosovarë të kthyer nga Shqipëria, Maqedonia e vende të BE-së. Ajo takoi edhe minoritete në Kosovë së bashku me paqeruajtësit e NATO-s dhe me udhëheqësit lokalë në rajonin e Mitrovicës. Vetëm pak muaj më parë, aktorja e ndodhur në Festivalin e Filmit në Sarajevë, u nderua me çmimin “Zerma e Sarajevës”, pikërisht për tërheqjen e vëmendjes për refugjatët e Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995. Çmimi iu dha asaj për ndikimin e madh në industrinë e filmit, por po ashtu edhe për “këmbënguljen e saj në angazhimin në çështjet komplekse në jetën reale në të cilën jetojmë”. Zholi ka vizituar disa herë Bosnjën dhe Kosovën si ambasadore e UNHCR-së dhe ka tërhequr vërejtjen për gjendjen e mijëra njerëzve që ende nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre edhe pas përfundimit të luftës.