Arta Dobroshi, me fusnotë

European Film Promotion ka vlerësuar aktoren nga Kosova, Arta Dobroshi, si një nga aktoret e reja më premtuese në Evropë.
Ajo që bie në sy sapo hap faqen zyrtare të EFP është fusnota poshtë fotografisë së Dobroshit, për të cilën është shënuar se vjen nga Republika e Kosovës, me sqarimin: "*Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet rreth statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe me mendimin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës." Për pesëmbëdhjetë vite rradhazi, EFP publikon listën vjetore "Shooting Stars" ku klasifikon dhjetë aktorët e rinjë më të mirë në kinematografinë evropiane, ku këtë vit përfshihet edhe Arta për rolin e saj në filmin "Three Worlds" .Lista komplete e ''Shooting stars'' përfshinë: Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Luca Marinelli nga Italia, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia, Carla Juri nga Zvicra, Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka dhe Laura Birn nga Finlanda. Dobroshi është aktorja e dytë shqiptare që vlerësohet me këtë çmim, pas aktorit Nik Xhelilaj që është vlerësuar në vitin 2011. Shpërblimet do të ndahen në ceremoninë që mbahet në skenën kryesore të Berlinales, nga data 9-11 shkurt 2013. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/