“Artan Hoxha, kandidaturë e standardeve më të mira”
Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Berisha e ka cilësuar si një përzgjedhje të standardeve më të mira, kandidaturën e mazhorancës për president, Artan Hoxhën. Sipas kryeministrit edhe pse nuk u arrit konsensusi, mazhoranca bëri gjithçka për ta arritur atë. Berisha tha se refuzimi i Artan Hoxhës nga opozita, është në vazhdën e mungesës së konsensusit të saj dhe refuzimit të çdo kandidature për presidentin e ardhshëm. “Në këtë takim të zgjatur, palët diskutuan hapur. Mazhoranca bëri një përpjekje të madhe që të afrohej përsëri me opozitën. Pikërisht për këtë qëllim ne përzgjodhëm kandidatura të njohura për reputacionin e tyre në fushat përkatëse. Ministra të cilët ose kanë punuar në kohëra të ndryshme me të dy krahët ose kanë vlerësimin e të dy krahëve për punën e tyre. Përzgjodhëm personalitete të shquara të fushave të tyre, por me gjithë shkëmbimin e hapur të mendimeve, nuk u arrit në një kandidaturë konsensuale me opozitën. Ndërkohë, mazhoranca vendosi që nesër të paraqesë për votim në parlament një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe publicistikës shqiptare. Dua të them këtu, drejtuesit e institutit të studimeve bashkëkohore, institut ky që është edhe hartuesi i të gjitha ligjeve, të reformave ekonomike gjatë së paku 12 viteve të fundit. Është Artan Hoxha në drejtim të këtij instituti. Në bashkëpunim me agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare, ka dhënë së bashku me stafin e tij një kontribut thelbësor në tërë zinxhirin e reformave të mëdha të realizuara gjatë dekadës së fundit. Ka një dhunti të çmuar në publicistikë. Është një nga opinionistët më të kuotuar në fushën e opinionistëve. Pra, unë mendoj se kjo përzgjedhje sërish dua të theksoj, jo nga eksponentë të forcave politike të mazhorancës, është një përzgjedhje e standardeve më të mira në fushën përkatëse. Dua të theksoj një moment me kandidaturën e Zaganjorit, ne vendosëm një standard që opinioni publik e vlerësoi shumë dhe konstatoi përpjekjen tonë të madhe, për një proces plotësisht serioz dhe konstatoi gjithashtu se mazhoranca me ndershmëri bëri hapa drejt opozitës. Mazhoranca tejkaloi veten. Por, Zaganjori gëzonte diplomatin, gjykatësin, akademikun dhe duke mos pasur konsensusin e opozitës, u tërhoq dhe dha dorëheqjen. Ne ishim të obliguar para qytetarëve, që të zgjidhnim personalitete të shquara. Jam i bindur se kjo përzgjedhje është bërë. Jam i bindur se Shqipëria dhe shqiptarët do të përfaqësohen me dinjitet nga presidenti i ardhshëm i Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se propozimet kanë qenë të lirshme, sikurse është tentuar që të merrej edhe aprovimi i opozitës në këtë proces. Berisha tha se për mazhorancën s’ka qenë e rëndësishme se të kujt ishin propozimet, por cilësitë e kandidatëve.
Kreu i qeverisë i apeloi opozitës që t’i kërkojë falje Xhezair Zaganjorit, për akuzat e lëshuara drejt tij. “Opozita t’i kërkojë falje Xhezair Zaganjorit për akuzat që ka lëshuar ndaj tij, duke e quajtur noter të Berishës”, tha kryeministri.
Sipas tij, kandidatura e Zaganjorit nuk është e vetmja që është refuzuar nga PS, ndërsa theksoi se kjo forcë politike ka vijuar në vazhdimësi refuzimin e emrave të mazhorancës, për presidentin e ardhshëm të vendit.