E Diel, 1 Nëntor 2026

Artan Hoxha, presidenti i ri i Shqipërisë

11-06-2012 / Gazeta 55

Sot, në raundin e katërt pritet të zgjidhet me shumicën kushtetuese të votave kandidati konsensual i mazhorancës për president të republikës, ekonomisti dhe publicisti Artan Hoxha. Tryeza e krerëve të partive parlamentare s’ka arritur dot konsensus, për shkak të refuzimit irracional të Edi Ramës, i cili asnjëherë s’e ka pasur hallin tek zgjedhja e presidentit konsensual, por tek bllokimi i perspektivës së integrimit në BE


Mazhoranca propozon zyrtarisht kandidaturën e saj konsensuale, për president të Republikës. Është Artan Hoxha, ai që ka marrë aprovimin e shumicës parlamentare, një emër ky i njohur nga opinioni publik. Takimi i fundit negociues për zgjedhjen e presidentit të ri të republikës, mes mazhorancës dhe opozitës, përfundoi me propozimin e kandidaturës së ekspertit të ekonomisë, Artan Hoxha, por edhe për këtë emër, Partia Socialiste nuk dha konsensus. Në tryezën e negociatave e cila përbëhej nga kryeministri Sali Berisha, kreu i LSI-së, Ilir Meta ai i PDIU-së, Shpëtim Idrizi sikurse në anën tjetër ishte kryesocialisti Edi Rama i shoqëruar nga Gramoz Ruçi, 3 orë diskutime në kryesinë e Kuvendit, shërbyen sa për të marrë refuzimin e opozitës, për çdo kandidaturë. Mazhoranca shtroi në tryezë katër kandidatë, ndërsa përgjigja e opozitës ishte refuzuese për secilin prej tyre. Në këto kushte, shumica dha “ok” për Artan Hoxhën, si personalitet që vjen nga shoqëria civile, kontribuues në reformat ekonomike të vendit dhe një nga analistët më të njohur në vend. Qëndrimet e Edi Ramës pas përfundimit të takimit, ishin sa të pritshme aq anti-produktive. Sikurse refuzoi pa shkak Xhezair Zaganjorin, opozita shprehu kundërshti edhe për kandidaturën e Artan Hoxhës. Gjithsesi, sot mazhoranca çon për votim në Kuvend në orën 10.00, kandidatin e saj konsensual. Për zgjedhjen e të cilit në postin e Presidentit të Republikës, mjaftojnë 71 vota. Sipas asaj që parashikon Kushtetuta, Presidenti duhet të zgjidhet dy raundet e fundit. Gjasat janë që procesit të mbyllet që sot, pasi mazhoranca i ka votat e nevojshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›