E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blloku i Ilir Metës dhe dosjet e kandidatëve

Share

Nga Ilir Yzeiri

Kjo që po ndodh në Shqipëri me narrativën e pështirë të zgjedhjes së presidentit dëshmon në fakt krizën e rëndë të modelit politik që po jeton Shqipëria. Modeli politik që po jeton Shqipëria është ai i zyrtarit të lartë të shtetit shqiptar, që me bllok në dorë vjedh pasurinë publike. Imazhi i Ilir Metës me bllok në dorë në zyrën e Dritan Priftit po e prodhon edhe sot ngërçin politik ku është futur Shqipëria. Hapin e parë të gabuar e bëri Edi Rama, i cili u ngrit në mes të natës dhe me një makinë të dyshimtë nga Durrësi hëngri ngjalën në vilën e Ilir Metës. Pas kësaj Meta nisi të trimërohej dhe të gjithë harruan njeriu që u bë shkaktar për katër viktima të pafajshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ky njeri befas na doli nëpër ekrane dhe po na mallëngjente të gjithëve duke deklaruar se do të jepte edhe jetën për integrimin. Pastaj nxori nga fjalori i varfër me shtatë fjalë edhe një tjetër fjalë konsensus me …mazhorancën!!!. Edi Rama për të mbuluar sadopak aromën e erës së ngjalës i hidhte bisedës pak limon dhe nëpër dhëmbë e vlerësonte rolin e moderatorit Meta në konsultime për gjetjen e konsensusit. Mirëpo ata që menduan se njeriu me bllok në dorë digjej për integrimin dhe për konsensusin, tani kanë rast të shohin se Ilir Meta është njeriu më i diskredituar politikisht nga kjo aferë. Ai iu imponua Berishës(shih për këtë artikujt e Mero Bazes te Tema) duke dashur të kënaqë oreksin e vrasësit të vërtetë të 21 janarit, Lulëzim Bashës dhe nisi të nxjerrë nga blloku emra kandidatësh që Berisha e dinte se për një arsye apo një tjetër do të rrëzoheshin. Doli si triumfator dhe na paraqiti Xhezair Zaganjorin, pastaj me kokën ulur apo me bishtin ndër shalë doli e fajësoi opozitën që nuk kishte dhënë konsensusin për të. Ndërsa dështimi me Artan Hoxhën tregoi se këtë njeri as Berisha nuk e beson dhe madje tallet me të. Berisha e dinte shumë mirë se Hoxha nuk mund të bëhej president për po ato atë arsye që ai i kishte bërë presion që të largohej nga qeveria më 1994, dhe për këtë shkak la Ilir Metën që të ngrefosej si arkitekt jo i korrupsionit me bllok në dorë, por si arkitekt i mediokriteti politik. Rama arriti ta rikuperojë portretin e tij dhe qëndresa që i bëri mazhorancës për të mos u përzierë në lojën me emra i dha një pikë shtesë autoritetit që ai e shkeli me këmbë në darkën me ngjala. Sot kriza po tregon dhëmbët e saj dhe portretin real të Ilir Metës. Çdo gjë mund të ndodhë, por ajo që shihet është se Berisha nuk ka mbështetje ndërkombëtare për të bërë si të dojë. Ilir Meta u dëshmua si politikan mediokër dhe i pabesë që di të bëjë vetëm shantazhe me bllok në dorë. Nuk është çudi që Berisha tani të pranojë kandidaturën e ofruar nga shkrimtari Kadare dhe të pranuar nga opozita. Në këtë rast shqiptarët duhet të kujtohen se gjithë këtë çorbë e gatoi njeriu që futi në imazhin kolektiv të shqiptarëve vjedhjen e shtetit me bllok në dorë. Ilir Meta nuk duhet të harrojë se një ditë dosja e tij mund dhe duhet të rihapet.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›