E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arteria e ardhmerise se kombit

Hapja e tunelit te Kalimashit domosdoshmerisht shtron shume pyetje qe i referohen jo vetem komunikimeve por, para se gjithash, kombit. Sali Berisha, ne fjalen e perurimit, tha: "Ky tunel, para se gjithash, eshte tuneli i bashkimit te kombit. Sot vendosem se nuk ka male, se nuk ka pengesa, se nuk ka asgje qe mund ta ndaje, jo vetem shpirterisht, por as fizikisht, kete komb". A eshte vendosur vertet sot, apo me saktesisht dje, pra me 31 maj, ne diten kur u shpua tuneli i Kalimashit, bashkimi i kombit?

Rreth kesaj, ne nje qasje dhe diskurs me pak euforik dhe me shume refleksiv, do te duhej te kishte opinione te ndryshme. Disa do te insistonin se ky tunel eshte vetem nje akt i rendesishem i ri-bashkimit, sepse kombi eshte me qenesor dhe me i vjeter se kjo ndermarrje, sado e madhe, inxhinierike. Kombi ka qene dhe eshte nje perkunder ndarjeve dhe fateve te imponuara, dhe sot, ose dje, ai vetem i kthehet esences se tij, te qenit nje komb ne vete, unik, qe tani vetem i pershpejton dhe intensifikon komunikimet. Kemi qene nje denbabaden, jemi edhe sot nje, dhe do te jemi keshtu pergjithmone, thone romantiket dhe esencialistet e idese te kombit te bashkuar. Qendrimi i dyte, te cilit i takon edhe ky i Kryeministrit Berisha, eshte integralist, por me nje relativizim te unitetit ne te kaluaren, qe del me pak esencialist. Sipas ketij mendimi, me tunelin riparohen dhe riforcohen komunikimet per shume kohe te penguara, te demtuara por edhe keputura te pjeseve te kombit, i cili ka qene i projektuar qe te jete nje dhe unik, por qe fatkeqesisht asnjehere nuk ka arritur qe te bashkohet, sic ka ndodhur me kombet tjera qe kane pasur me shume fat ose edhe force qe te behen me nje "trup" dhe me nje shtet. Tuneli i Kalimashit eshte inxhinieri e madhe teknike, por edhe inxhinieri e perfundimit te ndertimit te nje kombi te ndaluar dhe te penguar.

Qendrimi i trete do te jete ai dyshues nese do te duhet te kete fare nje komb unik shqiptar? Duke u nisur nga teorite bashkekohore mbi kombin, qe ate e shohin me shume si shpikje dhe sajim te kohes moderne, dhe jo si gjendje e dhene nga Zoti, atyre u duket te pakten e barasvlershme ideja e kombit te sajuar unik shqiptar, me ato te dy kombeve te sajuara, atij shqiptar qe para se gjithash i takon shqiptareve te Shqiperise, dhe kombit ende pa emer te sakte, por qe konkurron me emrin provizor te "kombit kosovar", qe sipas tyre do te duhej te ishte marreveshje dhe shpikje e shtetasve shqipfoles te Kosoves se pavarur. Ne Kosove, viteve te fundit ka pasur ne disa raste debate rreth kesaj teme, zakonisht te filluara me premisa te gabuara dhe mosdallimi apo ngaterrimi idese se kombit dhe komb-formimit nga ideja e shtetit dhe shtet-formimit ne traditat e mendimit perendimor dhe ato lindore. Formimi kombeve, per dallim nga shtet-formimi, ose edhe lidhur me proceset e shtet-formimit, nuk eshte asnjehere sajese arbitrare. Lindja dhe zhvillimi i kombeve nese edhe nuk e ka burimin te Perendia apo esencat e pandryshueshme, megjithate varet nga faktoret thuajse substancializues te gjeografise si dhe nga pjesemarrja e komuniteteve ne qyteterimet dhe kulturat qe marrin trajtat e traditave gjysmedeterminuese ne zhvillimet shoqerore. Nese do te na lejohej qe te perdornim terminologjine e teknologjise informatike, ne aspektin hardverik cdo individ ne kete bote vjen me potenciale "virgjine" pos atyre qe lidhen me gjenet dhe "ambalazhin" (p.sh. raca dhe ngjyra) por qe esencialisht jane te rendesise sekondare, nderkaq qe te gjitha sajesat e perkatesive dhe orientimeve i takojne softvereve dhe programeve edukative te cileve u nenshtrohemi si individe dhe pjesetaret te shoqerive qe jetojne ne kohe dhe hapesira te caktuara. Nje bebe e lindur ne Kosove me "gjak shqiptar" mund te behet amerikan dhe suedez perfekt nese edukohet dhe zhvillohet me softveret sociale te atyre shteteve dhe konteksteve shoqerore dhe kulturore. Rasti i Barak Obamas, deshmon se i pari SHBA-ve mund te behet edhe nje person qe njerin prind e ka nga Afrika, ngase eshte sajese e zhvilluar dhe edukuar ne sistemin e SHBA-ve, dhe kjo thyen mitin e determinimit te racave dhe perkatesise.

Por, t'i kthehemi ndikimit te Kalimashit ne sajimin dhe zhvillimin e kombit shqiptar. Kalimashi sigurisht se paraqet ate cka tha Sali Berisha, se eshte nje vendim i sotem i yni per te ardhmen tone: "Sot vendosem se nuk ka male, se nuk ka pengesa, se nuk ka asgje qe mund ta ndaje, jo vetem shpirterisht, por as fizikisht, kete komb". Megjithate, ideja e (ri)sajimit te kombit shqiptar mbetet e hapur, dhe sajesa e kombit "kosovar" ne realitetin e shtetit te Kosoves nuk mund ta pengoje kete ne trajten e supozuar te ndeshjes te nje esence me nje esence tjeter. Eshte ceshtje e marreveshjes te ketij brezi dhe te atyre qe do te pasojne se nga do te shkojne shqiptaret dhe "kosovaret". Une jam i bindur se edhe pa Kalimashin shqiptaret kane me shume gjera qe i bashkojne, se sa qe i ndajne, dhe ketu nuk mendoj vetem ne gjuhen, kulturen dhe traditen e perbashket. Politikisht ideja e bashkimit te kombit shqiptar eshte penguar dhe shnderruar ne nje gogol per shume vite, kryesisht si nje ide dashakeqe e projektuar nga popujt dhe shtetet fqinje, qe nuk e shihnin me sy te mire lindjen dhe forcimin e kombit shqiptar. Me ose pa Kalimashin, pas pavaresimit te Kosoves, ne afatet e gjata nuk mund te pengohet bashkimi i dy vullneteve sovrane ne nje komb, sapo qe keto sovranitete te clirohen nga disa kufizime te perkohshme. Vetem se kjo nuk mund dhe nuk duhet te ndodhe, sic paramendohet nga disa, si gelltitje e cilesdo pjese te dy njesive sovrane, nga ajo tjetra, qofte nese Shqiperia shihet si Piemont i shqiptarizmes, qofte nese perkundrazi, Kosova paramendohet si ky Piemont. Fillimisht, Kalimashi mund te shikohet si lehtesues marramendes i komunikimit brendashqiptar qe mundeson bashkejetesen me intensive, kurse me pas duhet te pasojne aktet qe do te sajojne realitetin e nje kombi me raporte mbeshtetese dhe te koordinimit te ngushte ne ceshtjet e mbrojtjes, sigurise, te zhvillimit ekonomik dhe tregut te perbashket, te kembimeve kulturore etj., raporte keto qe sipas vullnetit te lire mund te ngrihen gradualisht dhe me deklarim plebishitar ne marredhenie konfederale ose federale mbi bazat e nje demokracie te avancuar ku askush nuk do te mbetet i ndrydhur, duke perfshire ketu edhe identitetin e vecante territorial te "kosovarit". Kalimashi mbase eshte vetem njeri nga tunelet qe i duhen Shqiperise dhe Kosoves per te ndertuar arteriet e ardhmerise me premtuese.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›