E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arti i pikturës humb një nga simbolet e tij, ndahet nga jeta, Bujar Zajmi

Arti i pikturës ka humbur një nga përfaqësuesit më simbol të tij. Mësohet se është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare piktori i njohur, Bujar Zajmi. Lajmin e bën të ditur miku i tij studiuesi, Jaho Brahaj, teksa sjell në vëmendje edhe kontributin e artistit.

Krijimtaria e Zajmit shtrihet në afro 6 dekada e momentin më të fundit të ekspozimit përmes 100 veprave e shënoi në korrik të këtij viti me “Bzan me diellin” në Galerinë e Tiranës, nën kujdesin kuratorial të së bijës Anila Zajmit.

Zajmi ka lëvruar një larmi teknikash nga grafika, kolazhe, piktura në vaj e akrilik e të tjera. Veçohet si një nga artistët me një krijimtari të pasur gjatë sistemit diktatorial, një pjesë të mirë të së cilës me afro 7 mijë punime e mbajti të fshehur gjatë diktaturës. Shumë prej veprave të piktorit të ndjerë, siç ka rrëfyer e bija, mbeten ende për tu zbuluar, e ruhen në shtëpinë studio të tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›