E Diel, 1 Nëntor 2026

“Arti i shtatë në Tiranë”, historia nga Kinema “Nacional” e deri sot

Një kujtesë e kryeqytetit të dikurshëm ishte aktiviteti që u zhvillua dje në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku u promovua libri i autorit Spiro Mëhilli “Arti i shtatë në Tiranë” dhe pas kësaj u shfaqën materiale arkivore nga Tirana e vjetër. Për nostalgjikët “Arti i shtatë në Tiranë” i Spiro Mëhillit është një guidë e munguar dhe e domosdoshme mbi kinematë dhe filmat që janë shfaqur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, duke filluar që nga vitit 1926, ku në Tiranë u ngrit kinemaja e parë “Nacional” e deri sot. Një rikthim në ato vite ku argëtimi i kryeqytetasve ishte ajo kinema. Tek shfletoje librin dhe shihje materialet arkivore, vetja të dukej si personazh në filmin e Giuseppe Tornatores te filmi “Kinema Paradiso”. Në ato fletë është historia afro një shekullore e këtij arti, që daton thuajse me jetën e vetë Tiranës si kryeqytet. I ndërtuar mbi fakte dhe dokumente të patjetërsueshme, me burime arkivore dhe nga shtypi i ditës, libri është një pasqyrë e filmit dhe e kinemave të kryeqytetit, duke filluar nga viti 1920 e deri në ditët e sotme, në muajt e parë të dekadës së dytë të shekullit XXI. Pas një sërë librash artistikë si dhe një studimi mbi Tiranën, Spiro Mëhilli e ndjeu si një detyrim moral ta shkruante këtë libër. “Im atë dhe dy xhaxhallarët e mi, kush më shumë e kush më pak, kanë qenë të lidhur me mrekullinë e artit të shtatë. Për këtë, jam mbështetur në kujtimet e mia, të babait, xhaxhallarëve”- tha autori Mëhilli në promovimin e librit të tij. Libri është një udhëtim kronologjik mbi kinematë e ndërtuara në Tiranë, nga e para kinema e vitit 1926, kinema “Nacional” e deri te kinematë e fundit në kryeqytet si ajo e Arkivit të Filmit. Për të gjithë kryeqytetasit e vjetër emrat e kinemave si, “Nacional”, “Gloria”, “Imperial”, “Republika” janë emra që i lidhin me kujtimet e një kohe kur kinemaja ishte argëtimi i vetëm. Ky libër i Spiro Mëhillit vjen pas një sërë librash artistikë si dhe një studimi mbi Tiranën. Një ndihmë të madhe autorit i kanë dhënë dokumentet, fotografitë dhe të dhënat gojore të disa prej fëmijëve të ish-pronarëve të kinemave të para në Tiranë, si Nuri Beshiri, Nasi Hobdari, Reshat Qosja, Halit dhe Ali Sheqeri, Aurel Plasari, Zhani Canco, Gazmend Bakiu, Njazi e Bardhyl Lleshi, Igli Kamber Bego, Aleksandër Janku, e shumë të tjerë. E gjithë historia e filmit në Shqipëri është e përmbledhur në këtë libër të vlefshëm jo vetëm për studiuesit e të apasionuarit pas kinemasë, por për të gjithë dashamirësit e tjerë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›