Eksperimenti mbi tradhtinë flet në shumë gjuhë
Regjisori Stefan Neugebauer kishte ngritur një laborator dashurie në sallën e Akademisë së Arteve. E çfarë mund të bësh tjetër me një tekst si te “Grindja” (La Disputa) e dramaturgut francez Marivaux, e shkruar në vitin 1744. Vepra u vu mbrëmë në skenë për herë të parë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë nga regjisori gjerman Stefan Neugebauer dhe ishte dhe një eksperiment shumëgjuhësh në skenë: frëngjisht, gjermanisht, anglisht... Po çfarë mund të bëje tjetër me një tekst aq rigoroz, gati-gati simterik: do eksperimentosh. Dhe këtë kishte bërë edhe regjisori berlinez në skenën e Akademisë së Arteve, ku kishte ngritur një laborator të vërtetë, ku kavie ishin katër të rinj, 2 meshkuj dhe 2 femra. Eksperimenti në laboratorin e dashurisë zgjaste pak më shumë se 1 orë: aty mund të shihje se çfarë bëjnë katër të rinj (2 djem dhe 2 vajza) të rritur nga dy edukatorë, të izoluar nga seksi i kundërt dhe që bashkohen në sallën laboratorike të Marivaux-it: kush do të tradhtojë i pari; mashkulli apo femra? Mosmarrëveshjet që lindin mes tyre në këtë rast janë vetëm preteksti. Me pak fjalë çfarë vlere ka të dish nëse tradhtia është rezultat i natyrës së vetë njeriut apo çështje qytetërimi. Kush është ai që mund të ndajë kufirin mes njërës dhe tjetrës. “Grindja” e dramaturgut francez Marivaux pret një përgjigje që në vitin 1744, kur u krijua. Ajo erdhi premierë mbrëmë në Akademinë e Arteve të Bukura, si një vepër e cila ishte konceptuar si një eksperiment teatror shumëgjuhësh. E titruar në gjuhën shqipe, vepra që në gjuhën e origjinës ishte konceptuar si një spektakël teatror, nga regjisori gjerman Stefan Neugebauer. Si lindi tradhtia në botë? Kësaj pyetjeje përpiqeshin t’i jepnin përgjigje katër të rinj, të izoluar gjatë gjithë jetës nga bota dhe seksi i kundërt dhe secili prej tyre i rritur në izolim nga dy edukatorë, takohen për herë të parë në një botë të panjohur për ta. Princi dhe Hermiane e shohin këtë eksperiment nga një lozhë e teatrit, për të përcaktuar se kush është përgjegjës për tradhtinë në botë. Subjektet e eksperimentit zbulonin jo vetëm seksin e kundërt, por edhe një botë të re. Por mbi të gjitha, të rinjtë zbulojnë vetveten. Dhe çdo gjë tjetër që ndodhet brenda tyre! Xhelozinë, romancën, egërsinë, naivitetin, lakminë, ndjenjat e para erotike, rivalitetin dhe egoizmin. Eksperimenti teatral ka sërish një përfundim të paqartë dhe një pyetje që nuk merr përgjigje: Nga lindi tradhtia, nga burri apo gruaja? Konkluzioni që Hermiana dhe Princi nxjerrin nga eksperimenti është dhe përgjigja e supozuar që Marivaux i jep publikut. Hermiana i drejtohet Princit me këto fjalë: “Meshkujt janë të poshtër. Ndryshojnë për asgjë, madje dhe pa ndonjë pretekst për të qenë”. Ndërsa Princi përgjigjet: “E pranoj që femrat janë hipokrite, dhe e arrijnë atë që duan në një mënyrë pak më fine”. Për ta sjellë në skenën e arteve veprën e shkruar nga Marivaux, regjisori kishte zgjedhur një kast të rinj aktorësh. Në këtë eksperiment teatror shumëgjuhësh interpretuan Ina Limani (Hermianen), Marjan Deda (Prinncin), Xhuljeta Spahiu (Carise), Genti Decka (Mesrou), Ermira Hysaj (Eglé), Florian Agalliu (Azor), Vilma Hodo (Adine), Irgen Çela (Mesrin), Viviane Ziu (Dina), Vasil Ziu (Meslis). Muzika është kompozim nga Marjan Deda, asistent regjisor Florand Veizi. Premiera teatrore u shfaq mbrëmë në Akademinë e Arteve, për të vijuar edhe dy net të tjera me datë 2 dhe 4 qershor në ora 19.00. Në fund Marivaux mbetet madhështor dhe aktorët duhen duartrokitur pa rezerva. Shfaqja ishte një eksperiment teatror shumëgjuhësh edhe në skenën e Akademisë së Arteve. Pyetja se kush tradhton i pari, femra apo mashkulli? Do të kërkojë përgjigje pas Tiranës edhe në qytete të tjera të vendit. Më 6 qershor ajo do të ngjitet në teatrin “A. Moisiu” Durrës, ndërsa më 8 qershor në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit.