E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti modern në një vend

Panairi më i madh i artit modern ‘London Art Fair 2012’, sivjet filloi më 18 janar, dhe do të zgjas deri më 22 shkurt. Mbahet në qendrën ekspozuese Business Design Centre, në lagjen Islington, në Londër. Panairi përfshin mbi 100 galeri, pjesë e të cilave janë veprat e artistëve më të mëdhenj britanikë dhe botërorë të artit modern të shekullit 20.

Sipas asaj që thuhet në web-faqen e panairit, mbi 100 galeri nga Britani dhe bota do të shfaqin veprat e më shumë se 1,000 artistëve , që nga fillimi i shekullit të 20 e deri më sot.

Kësaj duhen shtuar edhe shfaqjet e shumta individuale, ekspozitat grupore dhe instalacionet e mëdha të artistëve modernë nga e gjithë bota, me theks të veçantë në gjeneratën e re, në kuadër të programit Art Projects. Është ky një program që gjeneratave të reja të artistëve iu ofron një platformë ndërkombëtare për prezantimin e praktikave moderne. Ky program sivjet përfshinë 29 galeri, që kurohen nga gazetari dhe kustosi Pryle Behrman.

Ndryhse, çmimet e veprave të ofruar për shitje sillen mes 500 dhe 10,000 paundë.

Në kuadër të këtij programi do të mbahet edhe nën-programi i filmit dhe i videos eksperimentale, i cili merret me hulumtimin e gërshetimit të ndërsjellë të humorit, satirës dhe bukurisë në projeksionet vizuale të artit modern.

Shkrimtarja dhe kuratorja, Sue Steward, është kustose e ekspozitës së sivjetme të fotografisë moderne, që quhet “Photo50”, e cila është pjesë tradicionale e panairit që nga viti 2007. Emërtimi i sivjetmë i kësaj ekspozite është 'The New Alchemist: Contemporary Photographers Transcending the Print' (Alkimisti i Ri: Fotografët Modern e Tejkalojnë Fotografinë). “Photo50” sjellë 50 vepra – shumica e të cilave janë për shitje – me theks të veçantë në artistët që në veprat e tyre “e zbukurojnë, transformojnë ose e ndryshojnë identitetin e fotografisë, dhe të cilët për këtë qëllim shfrytëzojnë media dhe teknika të llojllojshme”.

“Secili nga këta artistë është një virtuoz i profesionit, mirëpo fotografia nuk duhet që domosdoshmërisht të paraqes veprën e tyre përfundimtare. Pjesërisht e shkatërruar, e zbukuruar, pastaj sërish e kompozuar, ose e krijuar me fokus në proces e jo në prodhim, bënë që fotografia të fitojë një dimension të ri dhe të bëhet një vepër origjinale artistike”, sqaron Steward.

Në kuadër të ‘London Art Fair’ janë paraparë të mbahen edhe shumë debate dhe ligjërata në temat si: “A Mundet Fotografia ta Ndryshojë Botën?”, “Roli i Aftësisë në Fotografinë Artistike”, etj. Ligjërata me temë “E, Çka do të Thotë e Gjithë Kjo?”, do të merret me çështjen se në ç’masë është e nevojshme që gjatë shqyrtimit të një vepre artistike të merret parasysh synimi i artistit. Ndërkaq, në ligjëratën “A Mund të na Shokojë Arti?”, do të analizohet nëse aftësia e një vepre artistike për të shkaktuar një shok ia krijon apo ia shton asaj vlerën artistike, si dhe ajo se a është e mundur që gjithnjë të definohet saktë dallimi ndërmjet shkeljes së kufijve të etabluar dhe një shijeje të keqe artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›