Malmstrom: Institucioneve të Kosovës u mbetet t’i kryejnë punët

Malmstrom këto komente i ka bërë pas takimit që ka zhvilluar me Shefin e Misionit EULEX, Xavier Bout de Marnac.
Komisionerja ka shprehur kënaqësinë që ka filluar dialogu për vizat sot me Kosovën, duke shpresuar që edhe Kosova si vendet e tjera të rajonit të përfitojnë nga mundësia e udhëtimit të Bashkimin Evropian.
E pyetur se EULEX-i është këtu që një kohë dhe nuk ka treguar rezultate në luftën kundër korrupsionit, Malmstrom nuk e ka pas atë brengë, duke shtuar se EULEX-i ka bërë mjaft shumë, ka sjellë shumë njerëz para drejtësisë dhe kanë punuar bashkërisht me institucionet kosovare për të identifikuar dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Malmstrom ka theksuar se plani i punës është duke u përgatitur dhe do t’i dorëzohet Kosovës për t’i kryer detyrat që i paraqiten.
“Dialogu nuk mund të bëhet me video konferencë nga Brukseli, por unë kam ardhur këtu për të dhënë këtë porosi. Ajo çka duhet të bëjë Kosova tani për tani për të nisur dialogun është bërë dhe unë kam shprehur përkrahjen time dhe falënderimet e mia për këtë. Dhe tani kemi filluar të përgatisim atë hartë rrugore ose planin e punës. Ai nuk është i përfunduar këtu llogarisim edhe përvojën e EULEX-it dhe pse presim për këtë skicë autoritetet kosovare do të vazhdojnë atë që po bëjnë të luftojnë krimin e organizuar, menaxhimin e integruar të kufirit, luftën e korrupsionit dhe të tjera”, ka theksuar Malmstrom.
Për më tepër ajo ka shtuar se Komisioni Evropian është këtu për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se i mbetet Qeverisë për të vendosur se cili do të jetë afati për heqjen e vizave.
Nga ana tjetër shef i Misioni EULEX, Xavier Bout de Marnac ka thënë se sot është një ditë e mirë për Kosovën dhe EULEX-in, duke shtuar se tash janë institucionet e Kosovës ato që do të bëjnë punën më të madhe.
“Mendoj që gjithë palët janë të përkushtuar që të punojnë bashkarishtë, në mënyrë që të punojnë dhe të përkrahin institucionet e Kosovës për të filluar ose për të nisur në udhëtimin në procesin e dialogut për vizat. Por janë institucionet kosovare që duhet të kryejnë pjesën dërrmuese të punës”, ka thënë ai.
Ndryshe Komisionerja Malmstrom gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi.