E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti pers, një botim në shqip

24/07/2009  I kushtohet artit dhe kulturës perse. Me autor dr. Mahnaz Shajestehfar, libri “Një hyrje në artin islamik pers” është përkthyer në shqip nga Migen Sulaj dhe botohet nën kujdesin dhe mbështetjen e fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë. Një publikim nga “Ideart”, ai vjen i ilustruar nga dhjetëra foto me ngjyra nga aspekte dhe vepra të artit iranian. “Artin mund ta përkufizojmë si një aktivitet human, në të cilën njeriu me qëllim dhe dijeni dhe me ndihmën e sinjalistikës aparente ua transferon të tjerëve ndjesitë e veta të eksperimentuara, në mënyrë që edhe këta njerëz të tjerë të shijojnë përvojën e këtyre ndjesive dhe të ecin në rrugën e ndjesisë dhe imagjinatës nga ku ka kaluar edhe artisti”, - vëren në parathënien e këtij botimi Shahrouz Falahatpisheh, drejtor i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”. Në këtë përcaktim të tij arti nuk është vetëm element për të arritur kënaqësinë, por një element ndërlidhjeje me njerëzit që ka për qëllim arritjen e lumturisë individuale dhe sociale të njeriut. “Arti iranian i ka rrënjët e veta te historia dhe kultura mijëravjeçare e këtij vendi dhe për këtë arsye arti mund të konsiderohet pasqyra me pamje të plotë e kësaj kulture dhe mbase mund të konsiderohet si treguesi më shprehës i kulturës së tij”.

“Një hyrje në artin pers” dëshmon rrjedhën historike të artit që fillon nga koha e Persisë antike, vazhdon me periudhën islamike dhe vijon deri në ditët tona, periudha të cilat janë të shoqëruara me informacione dhe dokumente të plota artistike. Në këtë libër gjithashtu është vënë në dukje ndikimi i artit pers në vendet e tjera të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›