E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Arteve: Do të fitojnë vetëm 140 studentë

24/07/2009  Konkursi i pranimeve do të zhvillohet më 28 korrik 2009

Konkurrimi për pranimet në Akademinë e Arteve për vitin e ardhshëm akademik do të çelet më 28 korrik, kur kandidatët do t’i nënshtrohen testimit special. Sipas të dhënave të publikuara nga strukturat drejtuese të këtij institucioni, rezulton se kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta në programet e caktuar rreth 450 studentë, por do të shpallen fitues vetëm 140 prej tyre. Për shkak të ambienteve të kufizuara fakultetet përbërëse të akademisë nuk mund të presin më shumë studentë sesa limiti tashmë i përcaktuar. Ndërkohë shpallja e rezultateve për testimin special do të bëhet më 31 korrik, pas kësaj procedure do të fillojë llogaritja e pikëve finale, me të cilat këta kandidatë do të shpallen fitues sipas kuotave të miratuara. Kështu, në bazë të rezultateve që maturantët do të arrijnë në konkursin special, do të bëhet dhe diferencimi i kandidatëve që do të marrin statusin e studentit dhe atyre që do të eliminohen. Sipas rregullores së provimeve, është përcaktuar që për pranimet në akademitë, qofshin këto artistike apo sportive, nuk do të jetë e nevojshme dhënia e provimeve me zgjedhje. Rreth 80 për qind e peshës në përcaktimin e kandidatëve fitues do të mbulohet nga rezultati i konkursit dhe 20-përqindëshi i mbetur nga nota mesatare e arritur në katër vjetët e shkollës së mesme. Ndërsa për maturantët që kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve në fakultete e tjera publike 80 për qind do të përcaktohet nga rezultatet e katër provimeve të maturës dhe pjesa e mbetur nga nota mesatare e shkollës së mesme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›