E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artisti i Pavijonit Kosovar

Artisti kosovar, Petrit Halilaj, është emëruar të hënën artist i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e 55’të të Venecias, ndërkaq Kathrin Rhomberg për kuratore të këtij pavijoni.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka miratuar të hënën propozimin e komisionarit të Pavijonit të Kosovës, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit - në Bienalen e Venecias 2013, Erzen Shkolollit, që artist i Pavijonit të Kosovës të emërohet Petrit Halilaj, ndërsa kuratore Kathrin Rhomberg.

Pjesëmarrja e Kosovës në edicionin e 55të të Bienales së Venecias është paraqitja e dytë e saj në ngjarjen më e madhe kulturore në botë.

Ndryshe, kërkesa për pjesëmarrje të Kosovës në Bienale, të cilën ministri Krasniqi ditë më parë ia kishte nisur presidentit të Bienales në Venecia, Paulo Baratta, nga ky i fundit kishte marrë përgjigje pozitive.

Shkurt: Halilaj e Rhomberg

Petrit Halilaj (1986) është i lindur në Kostërc (Skenderaj) dhe aktualisht punon në Berlin, Kosovë e Itali. Punon në skulpturë, instalacion, vizatim me stilolaps ose ngjyrë shkrimi. Tema të tij janë kodet sociale – si identiteti dhe integrimi në kufijtë e padukshëm mes kulturave dhe grupeve sociale.

Ka mbajtur disa ekspozita personale, si “Kujt i takon toka përderisa pikturon erën?!” (“Who does the earth belong to while painting the wind?!”), Kunst Halle Sankt Gallen, St. Gallen (2012); Art Basel Statements with Chert, Berlin (2011); Kunstraum Innsbruck, Innsbruck (2011); “Kthim në të ardhmen” (“Back to the Future”), Stacion, Prishtinë (2009); Chert, Berlin (2009). Gjithashtu, Halilaj ka qenë pjesë edhe e shumë ekspozitave grupore në dhe jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Kathrin Rhomberg ka studiuar Historinë e Artit dhe Arkeologjinë (Universiteti i Salzburgut). Më 1990-2001 ishte kuratore dhe udhëheqëse e ekspozitave në Secession (Vjenë). Në vitin 1998 u zgjodh si një prej kuratorëve ndërkombëtarë në Manifesta 3 (Bienalja e Artit Bashkëkohor, Lubjanë). Është bashkë-kuratore e projektit afatgjatë për hulumtim, arsimim, ekspozitë e publikim FORMER WEST (2008-2013). Rhomberg ishte drejtoreshë e Kölnischer Kunstverein (2002–2007), dhe , drejtoreshë artistike e Project Migration (2002-2006), në Gjermani. Më 2009 ishte kuratore e Pavijonit çek dhe sllovak, Roman Ondák Loop, në Bienalen e 53’të të Vjenës, por edhe pjesë e shumë projekteve të tjera të rëndësishme kuratoriale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›