Artisti politik

Në vitin 1931, Muzeu i Artit Modern, i cili kishte vetëm dy vjet që ishte ndërtuar, përzgjodhi piktorin e veprave murale Diego Rivera për një ekspozitë - duke e ftuar në New York që të krijonte një vepër enkas për këtë muze.
Ndonëse Rivera vdiq në vitin 1950, ai u kthye në jetë përmes filmit ‘Frida’ në vitin 2002, ku tregohen marrëdhëniet me gruan e tij, piktoren Frida Kahlo. Disa prej punimeve të tij të ekspozuara 80 vite më parë, po paraqiten tani në muzeun e artit në New York.
Piktori muralist Diego Riviera, portretizuar nga Alfredo Molina, është personazhi kryesor në filmin “Frida “ të vitit 2002.
Rivera ishte komunist dhe ai krijoi artin politik nëpër mure.
Tani, mbas 80 vitesh, disa prej punimeve më të spikatura të Riverës u paraqitën në Muzeun e Artit në New York, ku ekspozohen 5 nga 8 punimet masive murale që MOMA ka në koleksionet e veta që nga viti 1931.
Ato janë dëshmi e qartë e tërheqjes së Riverës nga historia meksikane dhe urrejtjen që ka për kolonizimin dhe kapitalizmin.
Leah Dikerman është kuratore e muzeut Moma. Ajo shprehet se Rivera ka krijuar vepra që na bëjnë të mendojmë rreth shoqërisë sonë, rreth klasave në shoqëri, si dhe pabarazisë moderne në botë. Një shembull i kësaj është piktura murale “Frozen Assets” që tregon grataçielët mbi gjithçka dhe ky është pikëvështrimi i tij për klasat e ulëta.
“Ne shikojmë të gjitha aspektet e arkitekturës moderne që ai sjell nga pozicione të ndryshme të mbledhura në rrjet. Nën të shihet streha e një të papuni në rrugën East 25. E nën të shihet një bankë, ku të pasurit presin për të numëruar asetet e tyre”, thotë Dikerman.
Vizitorët kanë mbushur sallën e muzeut, që kur ekspozita u hap në nëntor. Historiania e artit Ana Indiç Lopez thotë se kjo ndodh pasi mesazhet e Riverës mbeten bashkëkohore edhe sot.
“Ky punim komunikon me njerëzit edhe sot. Nëse shohim gazetat e ditës do të gjejmë lëvizjen ‘Pushtimi i Wall Street’ ngado, pra këto çështje sociale nuk janë larguar me kohën”.
Vizitorët kanë të njëjtin mendim. “Ajo që Diego Riviera tregon me punimet e tij është interesi i tij për kryengritjen e njerëzve të zakonshëm ndaj së përditshmes”.
“Këto vepra janë prekëse, duket sikur ai i ka pikturuar në ditët tona”.
Në këtë ekspozitë ka edhe punime me bojëra uji. Disa prej tyre nga udhëtimi i Riverës në Moskë, si dhe punime të tjera.
Mes tyre është edhe një prej punimeve më të famshme të Riverës, ndonëse pak njerëz e kanë parë atë.
Vepra “Njeriu në udhëkryq” ishte porositur nga familja Rrokfeler për qendrën Rokfeler në Manhatan. Por Rokfeler kundërshtoi që të ishte në pikturë portreti i Leninit.
Siç është paraqitur edhe në filmin “Frida”, Rivera u pezullua nga puna kur refuzoi të hiqte Leninin nga piktura, dhe vepra u shkatërrua.
Rivera, i patrembur nga ajo që ndodhi, u rikthye në Meksiko dhe krijoi një pikturë murale thuajse identike për Palacio de bellas Artes atje. Muzeu i Artit Modern do të ekspozojë veprën e Diego Riverës deri në mes të muajit maj.